Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se paraburgimi i Krasniqit mbetet proporcional.
“ZPS -ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS i referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi.
Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit në parashtrimet e veta ka thënë se vazhdimi i paraburgimit për klientin e tyre është joproporcional.
“Mbrojtja e Krasniqit argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i z. Krasniqi është joproporcional.76 Ajo pohon, në veçanti, se 40 muajt e kaluar në paraburgim janë një periudhë e konsiderueshme kohore për një person i cili nuk është dënuar për ndonjë krim. Për më tepër, ai pohon se modifikimi i kohëve të fundit i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e z. Krasniqi dhe vizitat e tij familjare, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në mirëqenien e tij dhe të drejtën për jetë familjare”, thuhet në vendim.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë Rexhep Selimit.
Vendimi është marrë më 15 mars 2024, nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli është i bindur se ekziston rreziku që Selimi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së dhe të kryej krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.
“Në parashtrimet e veta ZPS-ja kishte parashtruar se nuk ka asnjë masë alternative që zbut në mënyrë të mjaftueshme rreziqet për kryerje të krimeve të mëtejshme nga Selimi. Edhe në këtë rishikim të masës së paraburgimit, ZPS-ja ka parashtruar se asgjë nuk ka ndryshuar nga rrethanat që nga rishikimi paraprak i paraburgimit kur Paneli kishte konkluduar se të gjitha rreziqet për pengim të procedurave mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Veselit është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.
“Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, Paneli konstaton se paraburgimi i z. Selimi për edhe dy muaj të tjerë janë të nevojshëm dhe të arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet ndër tjerash në vendim.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.