Pranimi i aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe bartja e saj në një fazë tjetër shqyrtimi nuk ka të bëjë asgjë me zbatimin e marrëveshjes por “është ndëshkim për Vuçiqin” nga Perëndimi, ka thënë gazetari i mirënjohur serb, Boshko Jakshiq në një intervistë me media serbe “Kosovo-Online”.
Opinionisti serb ka edhe një shpjegim se pse erdhi ky ndëshkim. Ka të bëjë me refuzimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të lejojë serbët e dorëhequr të rikthehen në institucionet e Kosovës nga ku u larguan në nëntor të vitit të kaluar, shtjellon ai.
Jakshiq, përveç Vuçiqit, parasheh ndëshkime edhe për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit. Kjo në rast se refuzon të mos e zbatojë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, në të cilin rast thotë se “nuk do të doja të isha në këpucët e tij”.
“Mendoj se duke bërë këso veprimesh dhe duke injoruar zgjedhjet (në veri të Kosovës), kur gjithçka do të vendosej në vend, Beogradi qëlloi veten në këmbë. Vuçiq u dënua në mënyrë të tërthorë për këtë, por kjo nuk ka të bëjë asgjë me zbatimin e marrëveshjes (së Ohrit)”, ka thënë Boshko Jakshiq, derisa shtoi se tash është koha kur do të mësohet për nisjen e zbatimin të marrëveshjes.
“Është qartësisht e shkruar se njëra nga gjërat e para është kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komuna të Serbe, dhe nëse Kurti e refuzon atë kur të nis zbatimi, nuk do të doja të isha në këpucët e tij. E ardhmja politike e tij do të bëhej e paqartë prej atij momenti. Perëndimit aq i bën edhe të mos e dënojë, sepse për ta ka gjëra tejet më të rëndësishme se Kurti dhe Vuçiqi”, ka thënë Jakshiq.
Mes tjerash, ai thotë se që të dy, edhe Kurti dhe Vuçiq “po presin për mesazhe të ashpra” nga Brukseli, dhe se vetëm pas tyre “nuk do të na duhet më të presim për rezultate nga ta”.
“Ata do të mbikëqyren në zbatimin të marrëveshjes ose përmes ndëshkimit për moszbatim”, ka thënë mes tjerash ai.