Naim Jakaj nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokollari”, diskutoi sot lidhur me vendimin e qeverisë për ndarjen e disa milionë eurove për katër kategoritë që dalin prej ligjit të skemave pensionale.
Për emisionin Info Magazine në Klan Kosova ai tha se e mirëpritën rritjen e shumës së pensioneve, por që ajo nuk është e mjaftueshme.
“U rritën për 10 euro pensionet bazike, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara për 25 euro, e për pensionet invalidore po ashtu për 10 euro. Nëse e shohim si statistikë, në bazë të ASK-së del që përfitues janë afërsisht 175 mijë pensionistë, ku 19 mijë prej tyre janë persona me aftësi të kufizuara”.
“Për ne si institut, e kemi konsideruar që kjo rritje monetare është e vlefshme dhe e nevojshme, por ky vendim nuk i trajton në mënyrë të drejt gjithë pensionistët. Vendimi i cili është marr sot, është si rrjedhojë e vendimeve ad hoc, pra nuk janë vendime të mirë planifikuara”.
“Këto rritje aktuale nuk janë të mjaftueshme, as në kuptimin e efektit të tyre, e as në qëllimet afatgjata të qeverisë”.
Jakaj po ashtu deklaroi se nuk presin as nga Qeveria Kurti e as nga ndonjë qeveri tjetër e ardhshme që ka për ta rregulluar në mënyrë shumë të kënaqshme çështjen e pensioneve dhe skemave pensionale, për shkak që të ardhurat edhe në bazë të ligjit të buxhetit nuk janë të mjaftueshme për ta rregulluar shumë shpejt këtë punë, por, siç u shpreh, ka mundësi të ulet për t’u biseduar dhe të nivelizohen e të shihen të gjitha mangësitë që dalin prej skemave aktuale pensionale.