Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka njoftuar se e ka takuar ish-presidentin amerikan Barack Obama.
Në një postim në Facebook, Jahjaga tha se takimi ka ndodhur në margjinat e samitit global “The Jefferson Educational Society”, në Erie në Pensilvani.
“Ne margjinat e samitit, pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës, të cilat janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi. Kërkova edhe ndihmën dhe përkrahjen e zotit Obama në konsolidimin e shtetësisë sonë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Jahjaga transmeton Klankosova.tv.
Ajo theksoi se Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan.
“Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, deklaroi ish-presidentja Jahjaga.
Ish-kreu i shtetit të Kosovës tha se është e ftuar nga “The Jefferson Educational Society” për të marrë pjesë në samitin global në Erie në Pensilvani, ku tha se do të flasë për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit të saj si Presidente e Kosovës.