Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në edicionin e nëntë të Forumit Botëror të Paqes, që po zhvillohet në Jakarta të Indonezisë, ku morën pjesë figura të njohura botërore, përfaqësues qeveritarë, liderë fetarë dhe delegacione nga shumë shtete të botës.
Në darkën e hapjes së forumit, Jahjaga njoftoi në Facebook se zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të Qeverisë së Indonezisë, si dhe me delegacione nga vende si Japonia, Kina, Rusia, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Egjipti, Irani, Tajlanda, Malajzia, Timori Lindor, Bosnja dhe Hercegovina e të tjera.
Gjatë këtyre bashkëbisedimeve, ish-presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë që ka njohja e Republikës së Kosovës, jo vetëm për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, por edhe për ndërtimin e partneriteteve të reja që kontribuojnë në sigurinë dhe zhvillimin global.






