16.6 C
New York
Thursday, October 16, 2025

Buy now

Jahir Dedia: U tradhtova nga Peci e Muja – jam përkrahës i Arian Tahirit

- Advertisement -

 

Biznesmeni Jahir Dedia, kompania e të cilit është e nënkontraktuar për ndërtimin e urave mbi Ibër, është përfolur ditëve të fundit shumë nëpër media lokale të Mitrovicës.

Madje u publikuan edhe foto ku shihet ai në prezencë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kandidatit të partisë së këtij të fundit për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.

Ishte pikërisht kjo foto që bëri bujë të madhe, për çka vetë Dedia dha versionin e tij.

Në një bisedë për portalin “Veriu”, biznesmeni Dedia, i cili ka qenë edhe ushtar i UÇK-së, ka thënë se fotoja është shkrepur në orët e para së të dielës së zgjedhjeve, rreth orës 1 pas mesnatës mes të shtunës dhe të dielës, shkruan Klankosova.tv.

Sipas tij, foton e kanë keqpërdorur Faton Peci dhe kryetari i degës së LVV-së në Mitrovicë, Armend Muja.

“Kjo punë më ka prekur edhe mua në jetën personale, biznesore dhe familjare. Albin Kurtin e njoh veç figurativisht prej luftës e knej përmes mediave, dhe e kam takuar për herë të parë pasi ka dalë nga burgu. Gjatë jetës sime, tri herë e kam takuar Kurtin”.

“Kam shkuar te piceria në Shipol për të hangër bukë me disa shokë, natën e zgjedhjeve, ka qenë e diel, se ne pushojmë vetëm një ditë në javë, dhe kam thirr me telefon me ma përgatit bukën. Hyra brenda, dhe këta ishin brenda aty, ishte ora rreth 1, dhe jam futur brenda”.

“Kur u ula, Armend Muja dhe Faton Peci… Fatoni thënë të drejtën më ka thirr me shku me folë, janë çu në kambë, por s’kam shku. Ka pasur edhe njerëz tjerë aty, u çu kryeministri në kambë, dhe kam shku… unë kam shku në luftë për me pas një kryeministër të shtetit tim”, shprehet mes tjerash biznesmeni Dedia.

Tutje, ai thotë se e respekton postin e kryeministrit, nga cilado parti qoftë ai, prandaj thotë se edhe ka shkuar që ta përshëndes.

Dedia pretendon se ishin pikërisht Peci dhe Muja ata që i shpërndanë fotot e përfolura.

“Pjesa e partive është diçka tjetër, por si kryeministër e respektoj kushdo që të jetë. U afrova dhe i fola Albinit, ma zgjati dorën edhe Fatoni e i fola, sepse përndryshe nuk i kisha folë, sepse nuk dua të bie në nivel të Fatonit, Armend Mujës e Gazmend Mujës. Ata i kanë bërë këto që i kanë shpërnda. Këto gazeta janë të Faton Pecit, Armend Mujës e Gazmend Mujës. Kjo ka qenë faqe e Faton Pecit, tash e kanë bërë si lloj gazete të Armendit e Gazmendit për t’i njollosur figura dhe për të bërë pështjellime për qytetin”.

Ai thotë se nuk ka qëndruar më shumë se 30 sekonda afër tavolinës së Kurtit, Pecit e Mujës.

“30 sekonda kam qëndru në kambë me e përshëndet kryeministrin, dhe do ta përshëndes gjithë jetën secilin kryeministër të vendit tim. Unë kam luftu për popullin, për shtetin e komb timin, jo për kryeministra”.

Dedia i quan njerëz të lig ata që i shpërndanë fotot e përshëndetjes së tij me Kurtin e Pecin, dhe thotë se e prenë në besë.

“Fotot e mia u përdorën nga njerëz të lig. E dinë ata kush i ka bërë këto tradhti. A ka gjë më të lig, se na shqiptarët e kemi pasur besën, e me të pre në besë? Me të thirr me të thanë se kryeministri po don me të përshëndetë, dhe unë me shku me respektu kryeministrin, dhe me i folë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin, dhe me i folë Faton Peci, Armend Muja, Gazmend Muja e do militantë të tyre që i bëjnë këto gjëra… i kanë keqpërdorë”.

“Kur i kanë pa që u publikuan në publik se ka dyshime për keqpërdorime të votave, atëherë këta më kanë qitë në gazetë. Kjo është thikë me disa teha”, deklaroi Dedia.

Ai thotë se në kohën kur ka qenë duke i ndërtuar urat, Peci ka ardhur me një grup dhe disa truproja, dhe “unë isha me çizme duke punuar, madje edhe 24 orë, sepse e kam dhënë fjalën se me 1 shtator, ura do të jetë e kalueshme”.

“Peci ka ardhur të bëjë video aty, kemi qenë 50 vetë, as nuk ka ardhur të na flasë, ka kaluar nëpër shirita… Prej gjithë shqiptarisë kanë ardhur dhe na kanë përshëndetur, kandidati për kryetar komune nuk ka ardhur të na përshëndes… madje ka ardhur dhe ka u ka thënë punëtorëve ta ndalin punën e betonit sepse po dua të bëjë video për fushatë. Unë isha poshtë, dhe erdh ai djali e po thotë, duhet me ndalë punën se po thotë ministri… unë i thashë jo, sepse është beton që teret menjëherë. Kur te përfundojmë ne punën, hajde bëj video sa të duash”.

“Dhe nga ky moment kur ai s’më ka folur mua, unë nuk i kisha folë më, por për hir të kulturës së familjes sime, unë ia kam zgjatur dorën dhe i kam folë”, theksoi biznesmeni Jahir Dedia.

Për më tepër, Dedia tha se është përkrahës i PDK-së dhe i kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirit.

“E kam thënë dhe po them prapë. Unë nisem nga parimi në shtëpinë time. Kam gjashtë fëmijë, dhe jam edhe gjysh. Fëmija e mi dua të rriten me një kulturë të një kryetari të Mitrovicës që jep kulturë dhe pasqyrë te populli me kulturë, dinjitet, me fjalor të butë, të sjellshëm e jo arrogant. Sepse mua s’më duhet kryetari as kryeministri as familja që çdo ditë më jep mesazhe të këqija”, u shpreh ai.

 

Të ngjashme

Të fundit