Izraeli ka deklaruar “tokë shtetërore” 45 hektarë pranë vendbanimit të paligjshëm, Havat Gilad, në veri të Bregut Perëndimor. Sipas Administratës Civile, që vepron nën Ministrinë e Mbrojtjes, toka do të përdoret për zhvillim dhe ndërtimin e infrastrukturës për vendbanime izraelite.
Parcela më parë konsiderohej pjesë e territoreve administrative të fshatrave palestinezë Jit, Tell dhe Fara’ata, edhe pse nuk figurohej si pronë private.
Megjithatë, kufijtë e rinj të zonës së shpallur përfshijnë edhe fragmente që mund të jenë tokë private, gjë që sipas organizatës izraelite Peace Now, do t’i bëjë të paarritshme për palestinezët nëse aty ndërtohen vendbanime.
Qeveria izraelite kishte shprehur që në vitin 2018 synimin për të legalizuar Havat Gilad, por projekti u bllokua pas pretendimeve të palestinezëve për pronësinë e truallit. Kolonët kishin thënë se e kishin blerë tokën, por nuk arritën ta provonin, përveç një pjese të vogël në krahasim me dhjetëra parcelat e tjera.
Peace Now kujton se praktika e shpalljes së tokave si “shtetërore” është intensifikuar ndjeshëm nën qeverinë aktuale. Që prej dhjetorit 2022, rreth 2.600 hektarë janë përvetësuar në këtë mënyrë, gjysma e totalit që nga firmosja e Marrëveshjeve të Oslos në vitin 1993. Sipas organizatës, 99,8% e këtyre tokave u janë dhënë vendbanimeve izraelite, ndërsa vetëm 0,2% palestinezëve.