Forcat izraelite në Gazë vranë udhëheqësin më të lartë të Hamasit, Yahya Sinwar, një nga arkitektët kryesor të sulmit të vitit të kaluar ndaj Izraelit që shkaktoi luftën, njoftoi ushtria izraelite të enjten.
Ushtarët izraelitë gjetën nën rrënoja trupin e njeriut më të kërkuar prej më shumë se një viti.
Yahya Sinwar ishte në krye të listës së më të kërkuarve nga Izraeli, që nga fillimi i luftës me Hamasin në tetor të vitit të kaluar. Vrasja e tij përbën një goditje të fuqishme ndaj grupit militant. Deri në publikimin e këtij lajmit organizata Hamas nuk e ka konfirmuar vdekjen e udhëheqësit të saj.
Vrasja e udhëheqësit të Hamasit u konfirmua pas analizës së ADN-së dhe analizave të tjera, të një prej trupave të tre militantëve të vrarë të mërkurën gjatë një operacioni në Gazë
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e quajti vrasjen e Yahya Sinwarit “arritje ushtarake dhe morale për ushtrinë izraelite”.
“Vrasja e Sinwarit do të krijojë mundësinë për të liruar menjëherë pengjet dhe për të sjellë një ndryshim që do të çojë në një realitet të ri në Gazë pa Hamasin dhe pa kontrollin iranian”, tha ai përmes një deklarate.
Yahya Sinwar ishte një nga arkitektët kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023. Izraeli u zotua ta vriste atë që nga fillimi i fushatës hakmarrëse në Gazë. Për vite me radhë ai ka qenë udhëheqësi kryesor i Hamasit brenda Rripit të Gazës dhe i lidhur ngushtë me krahun ushtarak, ndërkohë që rriti në mënyrë dramatike aftësitë e tij.
Një zyrtar izraelit i sigurisë tha se duket se Sinwar u vra në betejë dhe jo nga një sulm i planifikuar ajror.
Në disa fotografi që qarkullojnë në internet shihet trupi i një burri që i ngjan Sinwarit me një plagë të hapur në kokë, i veshur me një jelek të stilit ushtarak, gjysmë të varrosur nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar.
Zyrtari izraelit konfirmoi se fotot janë bërë në vendngjarje nga forcat e sigurisë izraelite. Ai foli në kushte anonimiteti për shkak të hetimeve në vazhdim.
Faqja izraelite e lajmeve N12 tha se Sinwari duket se është vrarë rastësisht në një betejë të mërkurën. Sipas lajmit, trupat izraelite ndoqën një grup militantësh në një ndërtesë dhe më pas hapën zjarr ndaj tyre me tank, çka shkaktoi shembjen e ndërtesës. Ndërsa ushtarët izraelitë gjetën militantët e vdekur, ata vunë re se njëri prej tyre i ngjante udhëheqësit të Hamasit.