Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme me 28 dhjetor, Ajo e ka quajtur “dramë e keqe politike” që ka zgjatur plot nëntë muaj, duke theksuar se kjo periudhë ka qenë e mbushur me papërgjegjësi dhe tensione të panevojshme politike që kanë rënduar qytetarët, raporton Scanner.
Izmaku tha se gjatë kësaj kohe, deputetët e Nismës kanë qëndruar të fokusuar në zgjidhje dhe përgjegjësi, pavarësisht atmosferës toksike. Ajo theksoi se partia nuk ka rënë në nivelin e krizave artificiale dhe ka kërkuar vazhdimisht rrugëdalje politike.
Në këtë kontekst, ajo vlerësoi lart lidershipin e Fatmir Limajt, të cilin e quajti “busullën” e Nismës, duke e përshkruar si të matur, të drejtë dhe të qëndrueshëm në çdo moment.
“Politika nuk është përçarje, por shërbim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve,” ka thënë Izmaku, duke theksuar se kjo është qasja që Nisma do ta mbajë gjithmonë.
Deputetja konfirmoi se Nisma do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të rikthehet në Kuvend, duke garantuar se partia do të vazhdojë të mbetet në anën e përgjegjësisë, stabilitetit dhe interesit të qytetarëve.
“Faleminderit nga zemra për çdo hap që keni bërë me ne. Vazhdojmë bashkë,” përfundoi Izmaku.
Postimi i plotë:
Dje përfundoi një dramë e keqe politike që zgjati plot 9 muaj, një periudhë e lodhshme, e mbushur me papërgjegjësi, mungesë vetëdijesimi politik dhe lojëra të panevojshme që na kanë lodhur të gjithëve, sidomos qytetarët.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ne si deputetë të Nismës kemi bërë maksimumin për të qëndruar të përkushtuar dhe të fokusuar në zgjidhje, edhe kur atmosfera politike ka qenë toksike dhe e rënduar.
Së bashku me kolegët e Nismës, kemi kërkuar vazhdimisht rrugëdalje, kemi mbajtur përgjegjësi në çdo situatë dhe nuk kemi lejuar asnjëherë të biem në nivelin e krizave artificiale që u krijuan.
Këtë qasje nuk do ta ndryshoj kurrë, sepse kështu e kuptoj politikën dhe shërbimin publik.
Në këtë rrugëtim, lidershipi i Fatmir Limajt ka qenë busulla jonë, një lidership i matur, i drejtë dhe i qëndrueshëm në çdo moment.
Ai na e ka rikujtuar gjithmonë se politika nuk është përçarje, por shërbim, përgjegjësi dhe respekt ndaj qytetarëve.
Sot, me bindjen time të plotë, dua ta them hapur:
Nisma do të jetë sërish pjesë e zgjedhjeve që po vijnë dhe, po ashtu, e Kuvendit.
Ne do të jemi aty ku kemi qenë gjithmonë, në anën e përgjegjësisë, stabilitetit dhe interesit të qytetarëve.
Faleminderit nga zemra për çdo hap që keni bërë me ne.
Vazhdojmë bashkë.






