Zyrtarja e lartë e NISMA Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar sot pas interesimit të shtuar të anëtarëve dhe simpatizantëve për një bashkim të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës, shkruan Scanner. Ajo ka konfirmuar se një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur, duke bërë të qartë se partia do të vazhdojë rrugëtimin e saj të pavarur.
“Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera ndër vite. Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi”, ka deklaruar Izmaku.
Ajo theksoi se NISMA Socialdemokrate mbetet e pathyeshme dhe e përkushtuar, duke vazhduar misionin e saj politik nën udhëheqjen e provuar të Fatmir Limajt, një figurë që ka udhëhequr partinë për dekada.
“Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë”, theksoi ajo, duke nënvizuar se partia mbetet e lidhur ngushtë me nevojat reale të qytetarëve.
Në deklarimin e saj, Izmaku ka rikujtuar se për NISMËN, politika është shërbim e përgjegjësi, e jo arrogancë apo krenari e tepruar.
Ajo ka bërë thirrje për mobilizim të strukturave dhe mbështetësve në prag të garës së re politike: “Ky është momenti ynë për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, me sinqeritet dhe me vizion të qartë. Gara fillon.”
Në fund, Izmaku ka përsëritur se NISMA vazhdon rrugën me qytetarët dhe nën lidershipin e Fatmir Limajt:
“Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj! Na priftë e mbara!”.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë, anëtarë, simpatizantë, votues dhe aktivistë të NISMA Socialdemokrate të Republikës së Kosovës,
Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera të përbashkëta ndër vite.
Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi.
Por një gjë mbetet e pathyeshme:
Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt.
Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë vendit me vlera që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve.
Për ne, politika nuk është krenari e tepruar, as arrogancë;
politika është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm.
Ky është momenti ynë për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, me sinqeritet dhe me vizion të qartë.
Gara fillon.
Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj!
Na priftë e mbara!






