Kandidatja e Nismës Socialdemokrate për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se gara për këtë post nuk është thjesht një frymëzim i momentit, por një ëndërr e kamotshme politike për të.
Në një intervistë për emisionin “Ditari” në Tëvë1, Izmaku është shprehur se ka ardhur koha që të ndryshojë mentaliteti qeverisës dhe që Komuna e Vushtrrisë të udhëhiqet nga një grua.
“Gara për kryetare të Vushtrrisë nuk është një frymëzim që ka lindur tash, por është një pjesë e jetës sime është një vazhdimësi e aktivitetit dhe angazhimit tim që e kam pasur për Vushtrrinë qysh në mandatin e parë si deputete. Unë jam në mandatin e katërt si deputete dhe kam qenë edhe nënkryetare e komunës, pra kam pasur një angazhim të jashtëzakonshëm për qytetarët e atij vendi. Meqenëse për vite radhazi kam qenë zëri i Vushtrrisë në parlament për projekte të cilat i kanë munguar e mendova që është koha që përvec se duhet unë si kandidate ta realizojë ëndrrën time politike konsideroj që duhet të ndryshojë edhe mentaliteti qeverisës. Ka hapësirë që të futet në garë për udhëheqje për lidership një grua. Meqenëse kam pri në shumë procese të cilat kanë qenë shumë më të vështira sesa menaxhimi i Komunës atëherë mendoj se është koha që Komuna e Vushtrrisë ta ketë në udhëheqje një grua”, ka thënë ajo.
Izmaku gjithashtu ka theksuar se programi i saj qeverisës do të jetë i fokusuar kryesisht te gratë.
“Unë do të fokusohem që gratë të kenë një derë hapur të kenë trajnime të shtuara ose mentore të cilat do të kenë mundësi t’ua sigurojnë një jetë më të mirë dhe të pavarur”, ka bërë të ditur Izmaku.