Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku tha se “Kosova ka nevojë ta ketë në krye të Kuvendit një personalitet si Fatmir Limaj”, ndërsa foli për negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo tha se “shpresë ka” për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet këtyre dy subjekeve politike.
“Kosova në këtë periudhë, me sfidat që e presin, ka nevojë ta ketë në krye të Kuvendit një figurë e cila do të përbashkonte”, tha Izmaku.
Nisma ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje koalicioni me LVV-në, pasi, siç tha Izmaku, nuk kanë dashur ta shohin vendin “në një gjendje ‘status quo’”.
Izmaku tha se aktualisht “po duket që s’ka ndryshim nga të dy palët dhe ende mungojnë votat e mjaftueshme”.
Deputetja e Nismës tha se në fillim kanë pasur një “konfirmim” nga LVV-ja për Limajn kryeparlamentar.
“Ka qenë një situatë që në fillim e kemi pasë atë konfirmim – po flas edhe si deputete, se ne bisedojmë edhe me kolegë. Nuk është emër që nuk është mirëpritë. Zoti Limaj është emër i respektueshëm edhe prej grupeve tjera politike”, tha ajo në Frontal.