26.2 C
New York
Saturday, July 19, 2025

Buy now

Iu sekuestruan dy telefona dhe u dërgua në mbajtje, policia jep detaje për arrestimin e ndihmësit të Petkoviqit pas fjalimit kundër UÇK-së

- Advertisement -

 

Policia e Kosovës e ka arrestuar të premten ndihmësdrejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, pas një fjalimi që ka mbajtur gjatë ditës në Rahovec e i cili e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

Policia tha se nën dyshimin që ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ai u arrestua në pikën kufitare të Bërnjakut dhe se në cilësi të provave i janë sekuestruar dy telefona përkohësisht dhe më pas është dërguar në mbajtje.

“Fsh. Hoqë e Madhe, Rahovec 18.07.2025 – 12:00. Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur. Nga i dyshuar në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht 2 telefona celularë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, tha policia në raportin 24-orësh.

Ministri në detyrë për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë dje se Popoviq e ka cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore.

“Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë”.

Ai tha se Kosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”.

Ndaj arrestimit të kolegut të tij dje reagoi edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili tha se ka njoftuar Brukselin dhe se ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Popoviq.

Përmes një statusi në platformën X, Petkoviq ka thënë se “në vend që të arrestojë terroristët që kanë bërë të këqija ndaj popullit serb, autorët e krimeve në Rahovec dhe në gjithë Kosovën, Albin Kurti arreston bashkëpunëtorin tim dhe të guximshmin, Igor Popoviq, sepse në përkujtimin në Rahovec ka thënë të vërtetën për UÇK-në kriminale dhe për vuajtjet e serbëve!”.

Ai shtoi se “prangat nuk do ta fshehin të vërtetën për krimet e UÇK-së!”, duke akuzuar Kurtin për veprime të motivuara politikisht ndaj serbëve në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit