Senati Italian miratoi këtë të enjte reformën në drejtësi, që pritet të sjellë ndryshime rrënjësore brenda sistemit. Mirëpo sporova e vërtetë është përpara. Reforma përbën një ndryshim kushtetues, një nga nismat më të rëndësishme të kryeministres Giorgia Meloni, dhe duhet të përballet me një referendum mbarëkombëtar që pritet të mbahet pranverën e ardhshme, para se të bëhet ligj.
Sondazhet kanë treguar se italianët janë të ndarë për këtë çështje, që ka trazuar politikën e brendshme për dekada të tëra. Në rast se reforma bëhet ligj, sistemi i drejtësisë në Itali do të përballej me një tronditje të madhe, që parashikon ndryshime të shumta.
Reforma ndan rrugët e karrierës për prokurorët dhe gjyqtarët. Qeveria thotë se ky veprim është i nevojshëm për të parandaluar konfliktin e interesit midis dy grupeve. Aktualisht, magjistratët hyjnë në një provim të vetëm dhe mund të kalojnë nga një rol në tjetrin gjatë gjithë karrierës së tyre. Sipas sistemit të ri, kandidatët duhet të zgjedhin që në fillim nëse do të bëhen gjyqtarë apo prokurorë, pa mundësi ndryshimi.
Më tej parashikohet krijimi i dy këshillave të larta të ndara – një për gjyqtarët, një për prokurorët dhe një Gjykate e re e Lartë Disiplinore për magjistratët, që synon mbikëqyrjen dhe disiplinën brenda gjyqësorit.
Gjyqësori ka akuzuar qeverinë se kërkon kontroll mbi prokurorët për të diktojë se cilat krime mund dhe nuk mund të hetojnë, por qeveria e ka mohuar. Kryeministrja Meloni ka theksuar se Italia po bën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më efikas, të balancuar dhe më afër qytetarëve, duke e quajtur votimin një moment historik.






