Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të institucioneve amerikane, ku do të marrë pjesë në aktivitete zyrtare dhe do të zhvillojë takime të rëndësishme, ka njoftuar Sistemi Prokurorial.
Në njoftim thuhet se së bashku me Isufajn, për SHBA kanë udhëtuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi dhe prokurori special, Naim Abazi, i cili ka ngritur aktakuzën për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.
Aty theksohet se gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, e cila mbledh përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme.
“Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit e Sistemit Prokurorial të Kosovës do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, në funksion të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave përkatëse, si dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet aty.
Isufaj është një figurat më të atakuara të sistemit të drejtësisë nga pushteti i Lëzvizjes Vetëvendosje.
Ai ishte propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit në vitin 2022, por që Presidentja Vjosa Osmani kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë.
Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, më 20 prill 2023, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, Kryeministri i Kosovës hapur e kishte sulmuar Isufajn.
“Bëhet fjalë për një Kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt, e kategorizoi si vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje”, thoshte Kurti, derisa shtonte se as një nga krerët e shtetit – Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari – nuk e donë atë për Kryeprokuror të Shtetit.






