Ish-kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se me qeverisjen e Qemajl Aliut nga Vetëvendosje ka stagnim.
Ismajli ka thënë se ajo çka e karakterizon qeverisjen aktuale në Shtime është keqmenaxhim në secilin cep.
“Në Komunën e Shtimes dhe me qeverisjen e Qemajl Aliut, ne kemi një stagnim. Ajo që e karakterizon qeverisjen aktuale të kryetarit dhe të Vetëvendosjes është keqmenaxhim në secilin cep, është keqpërdorim i detyrës zyrtare është një neglizhim në zhvillimin e projekteve dhe çdo ditë ne kemi manifestim të procesit të nepotizmit të shërbimeve tejet të dobëta për qytetarët të shërbimeve publike, të arsimit, të shëndetësisë dhe të administratës”, tha ish-kryetari nga Partia Demokratike e Kosovës, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai ka thënë se Lëvizjen Vetëvendosje nuk e identifikon asnjë projekt e iniciativë, që qytetarët ta mbajnë në mend.
“Të gjitha këto e përkufizojnë që për këtë mandat qeverisës nuk është që e identifikon ndonjë projekt, apo ndonjë iniciativë që do të mbante mend qytetari i Komunës së Shtimes në një ndryshim të qeverisjes”, tha ai.
Sipas Ismajlit, qytetarët e Shtimes janë penduar për ndryshimin që e kanë bërë.
“Ne e dimë që qytetarët janë të penduar realisht për këtë ndryshim që e kanë bërë, sepse ndryshimi ishte i paketuar gjatë fushatave të gënjeshtrave dhe mashtrimeve, të cilat qytetarët i kanë besuar se mund të jenë dhe në praktikë, por doli e kundërta”, shtoi ai.