Lidhur me deklaratat dhe akuzat se Uran Ismaili nuk po identifikohet shumë me logon e Partisë Demokratike të Kosovës në garën për Prishtinën, pasi që gjoja në këtë parti vendosin zyrtarë që nuk janë zyrtarisht në lidershipin e partisë, është deklaruar vetë Ismaili.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës, tha se e konsideron veten jashtëzakonisht të fortë brenda PDK-së, pasi që është njëri nga më të votuarit për gjatë tri mandateve si deputetë.
Ismaili i ka quajtur propagandë deklaratat e tilla. Ai theksoi se për PDK-në në Prishtinë pyetet vetëm ai dhe askush tjetër.
“Në kuptim të votave, unë e konsideroj veten që jam jashtëzakonisht i fortë edhe brenda PDK-së, edhe me mandat nga populli. Kjo tregon që ke një peshë që e ke kriju në tërë Kosovën. E kam një traditë që dal i votuar shumë prandaj e konsideroj veten që jam jashtëzakonisht mirë i etabluar brenda PDK-së duke qenë edhe nënkryetar i saj”.
“Në Prishtinë, nga kjo parti si kryetar i Degës pyetem unë dhe vetëm unë. I respektoj të gjitha organet, flas me ta, por për çështje të Prishtinës jam ai që kam punuar qe tetë vite, kam bërë një rigjallërim të Degës, kam ndërru gjenerata, janë gjeneratë 10-15 vite më të rinj se unë që kanë ardhur si rezultat i një bashkëpunimi e angazhimi që kam bërë në Prishtinë. Dega e Prishtinës nuk është degë në të cilën kam ardhë, por kam garu për herë të parë në vitin 2007 kur i jam bashkuar PDK-së”.
“Jeta ime me Prishtinë edhe në nivelin politik është jashtëzakonisht e ndërlidhur prandaj i kthehem nga niveli qendror gjithnjë Prishtinës. Ka propagandë rikthehet gjithmonë gjatë zgjedhjeve”, tha Ismaili.
Për më tepër, ai tha se u përgjigjet vetëm qytetarëve të Prishtinës.
“Në bazë të karakterit dhe integritetit tem, unë ju them se vendimet e mija për Prishtinë i marr vetëm në interes të qytetarëve dhe i përgjigjem vetëm qytetarëve të Prishtinës”, tha Ismaili. /Klankosova.tv