Shkruan: Besa Ismaili
Heshtja me pasoja e Qeverisë
Të thuash se në Kosovë ka liri të medieve vetëm sepse secili mund të shajë e të fyejë, është një keqkuptim i rrezikshëm dhe i qëllimshëm i asaj që do të thotë liri mediale. Liria e medieve nuk është rrëmujë verbale, por është përgjegjësi, etikë dhe transparencë në shërbim të qytetarëve.
Sharja, shpifja dhe fyerja nuk janë shprehje e lirisë së fjalës, ato janë abuzim me të. Dhe kur qeveria fshihet pas kësaj zhurme, pa dalë publikisht të japë llogari për punën e saj, ajo jo vetëm që hesht, por prodhon pasiguri.
Në vend që të jenë partner i së vërtetës dhe transparencës, institucionet sot shmangin përballjen me gazetarët dhe qytetarët. Dhe kjo nuk është liri, kjo është heshtje me pasoja.
Demokracia nuk ndërtohet me arrogancë dhe ikje nga përgjegjësia, por me përballje me publikun dhe me mediet.
Liria e medieve nuk është luks, është themel i demokracisë. Dhe kur ky themel injorohet, rrënohet besimi qytetar, rritet dezinformimi dhe forcohet autoritarizmi.
Rënia e lirisë së medieve është në proporcion me rritjen e autoritarizmit në Kosovë.