Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili përmes një postimi në Facebook ka kërkuar shkarkimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ismaili ka thënë se Nagavci duhet të jap përgjigjësi penale.
Këtë e ka kërkuar pasi, sipas Ismailit, Nagavci ka bërë shkelje kushtetuese.
POSTIMI I PLOTË:
Shkelja e Kushtetutës dhe shthurja ligjore e shtetit për taborrin e LVV-së, prej ku vazhdimisht vinin edhe kërcënime dhe fyerje institucionit më të lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, përbën bagazhin e sukseseve [të vetme] për këtë regjim!
Shpreh indinjatën time të thellë lidhur me nëpërkëmbjen e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës në një anë dhe zbatueshmërinë e ligjeve të Serbisë, si direktiva të Beogradit, në anën tjetër.
Ne si shoqëri demokratike, duhet të mobilizohemi me vendosshmëri: nuk ka asnjë forcë politike, asnjë bartës apo vartës i këtij pushteti i cili mund të veproj në të kundërtën e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së vendit dhe të sillet sikur nuk ka ndodhur gjë.
Jo vetëm dorëheqje, por përgjegjësi penale për ministren e Arsimit!