Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili ka komentuar reagimet e kreu të LDK-së, Lumir Abdixhiku ndaj kryeministrit, Albin Kurti.
Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Abdixhiku ka normëzuar gënjeshtrën, hipokrizinë politike dhe mashtrimin.
Ajo ka thënë se rruga e tretë e Abdixhikut është prova e tij e tretë si mundësues i republikës së tretë të Kurtit.
Ismaili tutje ka shkruar se mungesa e bllokut opozitar karshi pushtetit tiran dhe izolues të Kurtit është meritë edhe e Abdixhikut.
Postimi i plotë:
Rruga e tretë e Abdixhikut për tek Republika e tretë e Kurtit
z.Abdixhiku jo më pak se vet z.Kurti, ka normëzuar gënjeshtrën, hipokrizinë politike dhe mashtrimin.
Dallimi i vetëm është në takatin politik. LDK-ja e Abdixhikut është e dobët, kjo gjë dihet. Siç dihet që LDK-ja është fare pak e Abdixhikut, por kjo është temë tjetër.
Ish ministri i Albin Kurtit, z. Abdixhiku, paska deklaruar sot që z. Kurti nuk e bën dot Kosovën evropiane dhe se ka ardhur koha për
‘rrugën e tretë’ dhe një ‘rrugë të re’ pa Albin Kurtin.
Se z. Kurti nuk e bën dot Kosovën evropiane dhe se e izolon atë, e kemi ditur edhe atëherë kur z. Abdixhiku si ish-ministër në kabinetin e qeverisë Kurti 1, orvatej të na bindte se Kosova tashmë kishte hapur kapitull të ri të historisë, respektivisht të republikës së tretë, siç e quante LVV-ja.
Rruga e tretë e z. Abdixhiku, është prova e tij e tretë si mundësues i republikës së tretë të z.Kurtit, dhe prova e tij e tretë si pamundësues i opozitarizmit parlamentar karshi pushtetit të dëmshëm.
Me një fjalë, protagonizmi politik i z.Abdixhiku është ai i një deuteragonisti i cili në mënyrë konsistente ka ndihmuar pushtetin e z. Kurtit në zhbërjen evropiane dhe amerikane të Republikës së Kosovës.
Mungesa e bllokut opozitar karshi pushtetit tiran dhe izolues të Kurtit është meritë edhe e
z.Abdixhikut, i cili projekton “rrugë të re”, për të pamundësuar opozitën e bashkuar politike në një anë, dhe fuqizuar “republikën e tretë” të z. Kurtit, në anën tjetër, saherë që për këtë ka nevojë z.Kurti.
Dhe krejt kjo, me gjasë, vetëm për t’u bërë ministër në kabinetin e z. Kurti, edhe njëherë.
Sa poshtë ka ra katundi!