Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar sloganin e saj të ri, “Ma mirë, me Bedri Hamzen Kryeministër,” i cili synon të përcjellë një mesazh optimizmi dhe përkushtimi ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka sqaruar përmbajtjen dhe domethënien e këtij slogani, duke e përshkruar si një qasje që përfshin qytetarët në procesin e ndryshimit dhe progresit.
Në emisionin “Debat Plus,” Ismaili tha se slogani nuk është vetëm një frazë zgjedhore, por një ftesë për bashkëpunim dhe një përgjegjësi kolektive. Sipas tij, “Kosova mundet ma mirë” mbështetet në arritjet e së kaluarës, ofron një kritikë për të tashmen dhe mban një shpresë për të ardhmen
“Slogani ‘Kosova mundet ma mirë’ përmban sukseset e së kaluarës, kritikat për të tashmen dhe shpresën për të ardhmen,” tha Ismaili. Ai shtoi se ky slogan nuk lejon që situata aktuale të përcaktojë të ardhmen, por nxit një vizion pozitiv për një Kosovë më të mirë.
Në lidhje me pjesën e sloganit “me Bedri Hamzen Kryeministër,” Ismaili shpjegoi se ky element i jep kuptim të thellë vizionit të PDK-së. “Kjo është një thirrje për një Kosovë më të mirë me një udhëheqës që projektet nuk i sheh vetëm si aspirata, por si qëllime të arritshme,” theksoi ai.
Sipas Ismailit, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, karakterizohet nga përkushtimi, përgjegjësia dhe përvoja e lartë. Këto cilësi, sipas tij, janë arsye që e bëjnë PDK-në dhe Kosovën të kenë optimizëm për të ardhmen dhe të besojnë në realizimin e projekteve konkrete për vendin.