Kandidatja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Besa Ismaili ka thënë se vetëm kjo parti e ka guximin, lidershipin, përkushtimin për kompetencën, si dhe mbi të gjitha synimin për të rikuperuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga qeveria Kurti.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ajo thekson se programi i kandidatit Bedri Hamza r ka edhe vizionin se si të dilet nga kriza në të cilën është katandisur Kosova dhe qytetarët e saj.
“Partia Demokratike e Kosovës, si parti e qytetarëve të Kosovës gjithë platformën e re politike e ka ndërtuar mbi nevojat politike dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe kështu ka ardhur me një platformë dhe ekspertizë ekonomike për të adresuar interesat dhe nevojat e mëdha të qytetarëve të Kosovës. Këtë program do ta udhëheq Bedri Hamza i cili ka kompetencën, por ka edhe vizionin se si të dilet nga kriza në të cilën është katandisur Kosova dhe qytetaret e saj”, tha ajo.
Ismaili ka thënë se PDK-ja do të udhëheq me vendin dhe se qytetaret do ta rikthejnë besimin te platforma e cila, sipa saj është e bazuar në kompetencë dhe në ekspertizë.
“Mendoj që gjithë ky zhgënjim i madh i qytetarëve, gjithë kjo ndjesi e tradhtisë dhe të mashtrimit gjithsesi do të përkthehet në një mbështetje për atë platformë, për atë alternativë politike e cila është dëshmuar me kompetencë dhe mendoj që kjo është PDK-ja. Unë besoj që PDK-ja do të udhëheq me vendin dhe se qytetaret do ta rikthejnë besimin te platforma e cila është e bazuar në kompetencë, në ekspertizë dhe në realizmi të rezultateve të pritshmërive të qytetarëve”, tha ajo.
Sipas saj përgjatë rrugëtimeve edhe më të vështira të Kosovës në të kaluarën PDK-ja ka dhënë rezultate të prekshme.
“PDK-ja si rrallë ndonjë parti edhe në botë e ka një elektorat tepër besnik, për shkak të kauzave dhe mbi themelet të cilës është ngritur si krah politikë i UÇK-së. Unë mendoj që përveç elektoratit të vetë tradicional siç po e thoja votuesit e Kosovës do ta mbështesin platformën e PDK-së, pikërisht mbi saj të konfirmimeve përgjatë rrugëtimeve edhe më të vështira të Kosovës në të kaluarën PDK-ja ka dhënë rezultate të prekshme”, tha Ismaili.
Ajo ka theksuar se gjithë vlerat dhe kauzat e saj do t’i përkushtohen në mbështetje të familjeve në Kosovë të minatorëve, të rinisë, si dhe të grave.
“Natyrisht unë punën dhe përkushtimin tim e kam bazuar gjithmonë në të vërteten dhe në fakte si bazë është vendimi dhe qëllimi tim. Kauzat e mia nuk janë vetëm fjalë, por janë obligime morale dhe kombëtare. Misioni jonë absolut është Kosova, mbi të gjitha dhe çdo gjë që është në interesin e Kosovës. Nëse do t’i zbërtheja kauzat në veçanti, duke qenë se Kosova është e para sigurisht që kauza për Mitrovicën është kauzë e imja kombëtare, por edhe qytetarëve si një vendase e Mitrovicës, por edhe për faktin sepse konsideroj një mision nacional. Gjithë vlerat dhe kauzat që shkojnë në mbështetje të familjeve në Kosovë të minatorëve, të rinisë dhe të grave janë kauzat të cilat unë më konsistencë i kam ndjekur përgjatë rrugëtimit tim edhe civil edhe politik”, tha Ismaili.
Ajo theksoi se PDK-ja mbi të gjitha synon qeverisjen për të rikuperuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga një qeverisje e tillë si e Albin Kurtit.
“Mendoj se VV-ja tash ka përmbytur vetveten, me gjithë çfarë ka ardhur në pushtet, me çfarë po shkon e që ka një diskrepac të madhe mes asaj se çfarë është premtuar dhe realizuar dhe nuk ka as një parti që do ta ketë të vështirë për ta përmbysur atë, por kjo është një fatkeqësi e madhe e Kosovës, por mendoj që vetëm PDK-ja e ka guximin, lidershipin, përkushtimin për kompetencën ,mbi të gjitha për të rikuperuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga një qeverisje e tillë”, tha Ismaili. /EO/