Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka deklaruar se ekziston mundësia e një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Hoxha ka bërë thirrje për kujdes, duke e ndërlidhur deklaratën nga sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, i cili ka theksuar se duhet të shmangen konfliktet, megjithatë, ai vlerëson se kjo është një çështje e interpretimit dhe ka rrezik në vetvete.
Hoxha ka thënë se rreziku është vërejtur më 24 shtator, kur grupet paramilitare serbe kishin hyrë në territorin e Kosovës para syve të botës.
Ai ka pohuar se Serbia mund të përballet me humbje nëse vendoset për një konfrontim, por thekson se veprimet e tyre, përfshirë vendimin për shtimin e ushtrisë kufitare me Kosovën dhe organizimin e grupit të Milan Radoiçiqit, mund të cilësohet si shtyrje e Serbisë drejt një konflikti me NATO-n.
Hoxha gjithashtu ka sugjeruar se ndikimi i Rusisë mund të jetë një faktor shtytës për një konflikt të ri, duke thënë se përpjekjet e tyre për të hapur një front të ri mund të detyrojnë Serbinë në një ballafaqim me NATO-n.
“Blinken tha se ‘nuk duhet’, pra nuk tha që nuk do të lejojmë konflikte, por ‘nuk duhet të shohim’. Kjo është çështje interpretimit që besoj se ka rrezik në vete. Ne e pamë në 24 shtator që bandat paramilitare terroriste serbe hynë në Kosovë dhe e panë e gjithë bota. Prandaj rreziku ekziston. Unë jam i qartë që Serbia e ka të qartë humbjen nëse ballafaqohet, por që veprimet e tyre vendosja e ushtrisë kufi me Kosovën, organizimi dhe riorganizimi i grupit të Radoiçiqit dhe shtyrja apo shtytja nga ana e Rusisë për të hapur një front të ri, ndoshta do ta detyrojnë Serbinë që të ballafaqohet me NATO-n”, ka thënë Hoxha, për RTV Dukagjini.
“Ndoshta është pazar kusuritje për ta hequr problemin njëherë e përgjithmonë, kjo mund të jetë në analizë ushtarake edhe politike, të ballafaqohet me NATO-n të krijohet një rast i ri, një praktik e re të ketë kundër intervenimin e NATO-s, ndoshta edhe ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë çështjen, edhe atyre u ka mbetur barrë, por ne nuk e kemi dertin e tyre”, ka deklaruar ai.
Hoxha ka theksuar se ekziston një rrezik, por Kosova është e fortë kur vepron në bashkëpunim me NATO-n.
“Pra, po besoj se nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të ri, sepse ne e pamë praktikë më 24 shtator në veri ku ishte çështje e orëve që të përshkallëzohej konflikti dhe atyre iu dështoi plani, prandaj nuk hoqën dorë nga plani dhe nuk e dënuan sot e asaj dite. Ekziston rreziku, por ne jemi të fortë kur jemi në koordinim me NATO-n”, ka deklaruar Hoxha.