28.5 C
New York
Sunday, August 3, 2025

Buy now

Ish-ushtari i UÇK-së që kundërshtoi Specialen flet për prapaskenat e ditës së votimit (Video)

- Advertisement -

Tensioni po rritej në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kjo meqë deputetët e legjislaturës së katërt ishin para një vendimi të rëndësishëm.

Ky ishte të votojnë pro apo kundër një amandametimi kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Seanca maratonike e asaj të hëne, nisi me kundërshtimet e opozitës së atëhershme.

Por, pavarësisht kundërshtimeve, u procedua me votim.

Me 3 gusht të vitit 2015, 82 vota pro nga deputetët, Kosovën e bënë me një Gjykatë Speciale, e cila selinë do ta kishte në Hagë.

Por atë ditë, 5 deputetë votuan kundër themelimit të kësaj gjykate.

Njeri nga ta, ishte ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Demaku.

“Ka qenë një situatë e zhvillime të jashtëzakonshme, presioni ka qenë i madh, një situatë e tensionuar. Mirëpo në atë kohë, pavarësisht rrethanave, unë e kam pasur bindjen time. Sepse vet mënyra se si është kërkuar të krijohet ajo gjykatë, formati i saj, pastaj qëllimi të mos ketë juridiksion si kanë qenë gjykatat e tjera në kuadër të ish-Jugosllavisë, por pretendimi një etnik që të ndiqen vetëm krimet e UCK-së, më kanë bërë të mendoj që diçka nuk është në rregull dhe nuk e kam parë si një gjykatë që është në funksion të drejtësisë por si një lloj kompromisi të zhvillimeve politike ndërkombëtare, për të na goditur neve në raport me Serbinë”, ka thënë Demaku.

Para se votohej për specialen, grupi parlamentar i PDK-së, mbajti disa mbledhje.

Për Tëvë1, Demaku ka zbuluar se cili ishte qëndrimi i të parit të partisë, Hashim Thaçit.

“Zoti Thaçi për të krijuar mesazhin e qartë edhe përpara bashkësisë ndërkombëtare dhe vendore, ai ka dashur të tregoj gatishmërinë e lartë të tij dhe partisë që e ka udhëhequr se ne nuk kemi nga çka të frikësohemi apo të fshehim nga bashkësia ndërkombëtare”, shprehet deputeti i PDK-së.

E të dielën janë bërë 10 vjet që kur Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër formimit të kësaj gjykate.

Për votën e tij, Demaku thotë se nuk është pishman.

“Zhvillimeve të mëtutjeshme që kanë ndodhur prej formimit të saj dhe pastaj procesi gjyqësor me udhëheqësit e UCK-së, vetëm ma kanë forcuar bindjen që ajo gjykatë as nuk është formuar për drejtësinë dhe roli i saj nuk është në atë funksion, e shoh si gjykatë të politizuar e shtytur nga qarqet që nuk janë miq të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, Gjykata Speciale për krimet e pretenduara të luftës, tashmë ka shqiptuar dënime për ish-pjesëtarët e UÇK-së, Salih Mustafa e Pjetër Shala.

 

Të ngjashme

Të fundit