Bashkim Kurti të premten u lirua nga detyra e shefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”.
Vendimi për lirimin e tij nga detyra erdhi pasi minatorët e minierës tash e dy muaj kanë mbetur pa paga, dhe gjenden në grevë.
Ish-shefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje tha se “Trepça” e ka të vështirë t’ia dalë e vetme, pa ndihmën e qeverisë.
Në një bisedë për Klankosova, ai thotë se “Trepça” është ndërmarrje publike prodhuese, dhe se paga është e lidhur direkt me prodhimin që del prej minierës.
Ai thotë se në ndërmarrje nuk ka shërbyes civilë, sepse, siç tha ai, “shërbyesit civilë paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa ndërmarrja prodhuese në këtë rast ‘Trepça’ duhet të gjenerojë të hyra të mjaftueshme për të mbuluar pagat, shpenzimet e veta, edhe investimet kapitale në vazhdim që të mund të mbijetojë”.
“’Trepça’ jo që s’e ka bërë këtë të fundit (investimet kapitale në vazhdim), por as të parën nuk kemi mundur ta realizojmë që është elementarja – pagat. Pa ndihmën e qeverisë ka qenë e pamundur të bëhet”, deklaroi ish-kryeshefi Kurti.
Sipas tij, ndihma e qeverisë, e cila ka qenë e dedikuar për komplet vitin, “është harxhuar në gjashtë-mujorin e parë”.
Kurti ndër të tjera tha se në bazë të llogaritjeve që ka bërë, e ka kuptuar që do të vijnë në një situatë të tillë.
“E kam thënë në vazhdimësi, në bazë të kalkulimeve që i kemi bërë, e kam ditur që do të vijmë te kjo situatë. Me kohë kam kërkuar ndihmë dhe zgjidhje më afatgjate të situatës, por që në një mënyrë apo tjetrën nuk është realizuar, derisa u detyruam të mbesim në grevë”.
Ish-shefi i Trepçës, tha se gjatë bisedës me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanollin, fokusin e kishte që të siguronte vazhdimësinë e procesit, dhe jo veç pagën.
“Synimi ynë ka qenë vazhdimësia e procesit, jo të bëhet kusht vetëm ajo pagë. Kërkesa jonë ka shkuar si e tillë te Ministria e Ekonomisë, përmes Ministrisë së Ekonomisë te Ministria e Financave tash është çështje e dy ministrive t’i definojnë këto dy gjëra, a pajtohen me planin tonë apo duhet të modifikohet”, u shpreh më tej ai.
Kurti tha se për pagën e minatorëve i është thënë që potencialisht mund të dalë në fillim të javës së ardhshme, ndërsa theksoi se nuk e di se a do t’i marrin të dy pagat apo vetëm njërën nga to.
“Edhe pse unë nuk jam aty, minatorët i gëzofshin”, u shpreh ai.
Bashkim Kurti, i cili më 12 janar u emërua në postin e shefit ekzekutiv të ndërmarrjes, tha se e respekton vendimin që ai të lirohet nga detyra, pasi që kështu vendosi gjykata dhe bordi.
Njeriu që drejtoi ndërmarrjen e Trepçës për shtatë muaj, tha se gjatë mandatit të tij kishte shumë sfida.
“Sfida kemi pasur shumë: mungesa e kapaciteteve prodhuese në njërën anë, pastaj telashe tjera financiare – borxhe të grumbulluara, pajisjet e stërvjetruara, mungesa e investimeve ndër vite, këto kanë qenë telashet kryesore me të cilat jemi ballafaquar këta shtatë muaj”.
Për klankosova.tv, ai thotë se kishte plane të mëdha për ndërmarrjen, por se ato nuk u realizuan për shkak se sipas tij nuk mund të bëhen me kapacitete vetanake.
“Planet kanë qenë ndoshta pak ambicioze për të ardhmen e ndërmarrjes. Por sukses me kapacitete vetanake, është e pamundur të bëhet në ‘Trepçë’, pa investime të qëndrueshme nga ana e Qeverisë, apo të partnerëve tjerë privatë që potencialisht munden me qenë, sepse ligji e lejon me pas edhe partneritet. ‘Trepça’ me mundësitë vetanake ka shumë probleme të vazhdojë tutje”, deklaroi ai.
Për periudhën që ai e menaxhoi ndërmarrjen u shpreh krenar, pasi thotë se ka mbajtur parimet e tij që theksoi se janë drejtësia dhe llogaridhënia.
“Atë që e kam pasur parim kryesor: drejtësia, llogaridhënia, e kam synuar dhe mbajtur, në njëfarë mënyre jam krenar që kam arritur ta mbaj atë deri në këto momente. Çka është varur nga unë dhe ekipi im, e kemi kryer”, theksoi ish-shefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti.