Ish-reporteri i luftës në Kosovë, Paul Refsdal, ka treguar se ka refuzuar të dëshmojë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Refsdal për Info Magazinë të Klan Kosovës, ka thënë se nuk ka dashur të dëshmojë në llogari të Prokurorisë.
“Po, sepse… I pyeta pse dhe ata deshën që unë të dëshmoj në llogari të Prokurorisë sepse ata lexuan librin tim, aty tregohet se UÇK-ja kishte një telefon satelitor e gjëra të tilla, e për një gazetar, të qenit pjesë e dëshmitarëve të prokurorisë për detaje të tilla, unë nuk do të jem pjesë e saj, nuk ka kuptim. Ju thash jo, më vjen keq. Nëse do të kishin ndodhur vërtetë krime lufte dhe unë do t’i kisha qenë dëshmitar i tyre nuk do të hezitoja, por të dëshmoj për gjëra koti si ajo që Luli kishte një telefon satelitor? Nuk do të jem pjesë e saj”, ka thënë ai.
Tutje, ai i ka komentuar edhe Raportin e senatorit zvicran Dick Marty, në të cilin akuzohet UÇK-ja se kishte bërë trafikim të organeve.
“Kam folur, epo nëse mbrojtja mendon se unë mund të kontribuoj duke treguar se si ishte UÇK-ja asokohe… por sikur thashë nuk do të jem dëshmitar në proces për të treguar se një komandant kishte një telefon. Kur dëgjova së pari herë për akuzat që mbështeteshin në librin e Carla del Pontes për trafikimin e organeve, mendoja si ka mundësi që të ndodhë ky budallallëk? Kjo është marrë seriozisht për vite me radhë e UÇK-ja nuk kishte kapacitete as për trajtim të duhur të të plagosurve”, ka potencuar ish-reporteri i luftës.