Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të mbrohet edhe nga dy avokatë të rinj në Gjykatën Speciale.
Albert Moskowitz si dhe Peter McCloskey do të jenë dy avokatët e rinj që do të angazhohen në mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
McCloskey është një avokat i cili në të kaluarën është marrë me ish-Jugosllavinë, mirëpo në cilësinë e prokurorit.
Për dy dekada, ai ka ndjekur penalisht përgjegjësit serbë të masakrës së Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë.
Peter McCloskey aktualisht është një avokat i lartë gjykues.
Peter McCloskey ka qenë ngushtë i përfshirë në ndjekjen penale të njëzet individëve të paditur nga Tribunali për krimet e kryera në Srebrenicë, duke përfshirë ish-presidentin serb, kriminelin Slobodan Millosheviq, Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin.
Kur kishte folur për ndjekjen penale të të lartëcekurve, McCloskey kishte thënë se atij i ishte dhënë një mundësi për të nxjerrë në dritë vrasjen e organizuar dhe sistematike të mbi 7,000 njerëzve në Srebrenicë.
“Me kalimin e viteve, ne u rritëm të njihnim shumë nga të mbijetuarit, dëshmitarët dhe viktimat e Srebrenicës dhe mësuam prej tyre se sa shumë e vlerësonin përpjekjen tonë dhe sa shumë do të thoshte puna jonë për ta. Nga fjalët e tyre dhe dashuria e ngrohtë duket se ne kemi qenë në gjendje të sjellim një masë të vogël paqeje dhe drejtësie për ata boshnjakë dhe komunitetin mysliman boshnjak në tërësi”, kishte thënë ai.