Ish-prokurori special i Kosovës, Elez Blakaj, i cili kishte hetuar skandalin e listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së dhe më pas ishte detyruar të largohej nga vendi për shkak të kërcënimeve serioze, ka reaguar sërish fuqishëm në një postim të publikuar së fundmi.
Në reagimin e tij, Blakaj ka ngritur shqetësimin për ndikimin e strukturave të vjetra të UDB-së në institucionet e Kosovës, duke paralajmëruar se kjo përbën rrezik serioz për themelet e shtetit.
“Është bërë normë të flitet për UDB-ashë dhe bashkëpunëtorë të tyre në institucione, por pa asnjë vullnet real për t’i larguar. Për disa prej tyre ka informata të mjaftueshme, por mungon vullneti politik për t’i adresuar”, shkruan Blakaj.
Ai ka kërkuar miratimin e Ligjit për lustracion, për të pastruar institucionet nga ata që kanë bashkëpunuar me strukturat e sigurimit jugosllav dhe që, sipas tij, edhe sot gëzojnë poste kyçe.
Blakaj ka theksuar se certifikata e sigurisë duhet të jetë kusht për çdo funksion me përgjegjësi shtetërore, përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, pasi vetëm arsimimi apo përvoja nuk janë të mjaftueshme në kushtet aktuale.
Një pjesë e madhe e reagimit të tij i kushtohet procesit të njohjes së veteranëve të UÇK-së, për të cilin Blakaj ka qenë zyrtari kryesor që e ka hetuar vite më parë. Ai ka deklaruar se në këtë proces janë përfshirë persona që kanë qenë të certifikuar si UDB-ashë, madje disa prej tyre e kanë pranuar këtë publikisht, ndërsa sot figurojnë në listat e veteranëve.
“Ky është një dëm i madh për dinjitetin e UÇK-së. Ka emra që kanë torturuar luftëtarë.
Postimi i plotë:
Miq, një nga temat më të përfolura në të gjitha nivelet ka qenë dhe vazhdon të jetë debati se kush kujt i shërben sot dhe kush është UDB-ash! Mënyra se si njerëzit janë akomoduar nëpër institucione – edhe pse për disa persona ka pasur informata të mjaftueshme, rrezikojnë të bartin pasoja, të cilat në thelb mund ta godasin substancën dhe themelet e shtetit!
Se kush është UDB-ash e kush jo, më së lehti do ti jepte përgjigje nxjerrja e “Ligjit për Lustracion”, që duhet ti paraprijë një vullnet i partive politike – e të cilin vullnet duhet ta përkrahim të gjithë NE, nëse dëshirojmë ti largojmë UDB-ashet dhe bashkëpunëtorët e tyre nga institucionet e Republikës së Kosovës! Është e papranueshme që në institucionet e vendit tonë, në të gjitha shtyllat e saj, të pranohen njerëz të cilët edhe dinë të flasin shqip, por punët më së paku i kanë shqip!
Certifikata e sigurisë duhet të jetë e detyrueshme për të gjitha ato pozita që kanë përgjegjësi për sigurinë e vendit tonë, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, sepse gjithnjë e më shumë po dëshmohet se nuk është i mjaftueshëm vetëm arsimimi dhe përvoja e dikujt në ushtrimin e përgjegjësive të tilla!
Fatkeqësisht, përveç tjerash, kësaj teme nuk i ka shpëtuar as Procesi i Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Veteranit të UÇK-së. Kanë ndodhur gjëra që nuk do të duhej të ndodhnin në asnjë mënyrë! Është e papranueshme dhe thellësisht fyese për UÇK-në që të kemi persona të cilët me certifikatë kanë qenë UDB-asha (e të njëjtit edhe publikisht e pranojnë), që emrat e tyre të jenë pjesë e procesit të verifikimit në lista, si dhe të ketë përplasje në mes anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, për statusin e tyre! Madje, nga përplasjet e anëtarëve të Komisionit Qeveritar dalin edhe emra të tillë – UDB-ashësh, për të cilët edhe vetë anëtarët e Komisionit e pranojnë se para luftës kanë qënë të rrahur ata dhe anëtarët e familjes së tyre, nga këta persona…! Por këto fakte, dokumente të shumta dhe audio-inçizime nuk ka pasur mundësi ti shof e dëgjojë publiku, sepse orkestruesit që i kanë publikuar më herët të dhënat personale të aplikuesve për statusin e veteranit të UÇK-së, janë duke u përkujdesur që këto fakte të mos dalin në dritë, sepse kjo më së paku i leverdis Komisionit Qeveritar… Por edhe ato do të dalin!
Ky dëm që i është shkaktuar UÇK-së dhe procesit të verifikimit të statusit të veteranit të UÇK-së, mund të rikuperohet nëse procesi i verifikimit dhe njohjes së statusit të veteranit të UÇK-së fillon nga ZERO! Një guxim dhe hap i tillë do të jetë një test i vërtetë – në veçanti për disa personalitete të fuqishme që kanë kontribuar në luftë, por që tani po heshtin për arsye dhe motive të ndryshme! Heshtja e këtyre personaliteteve po e forcon pozicionin e shpifësve dhe keqpërdoruesve në kurriz të UÇK-së, duke e shndërruar në normë të pavërtetën! E nëse heshtja vazhdon, atëherë i bën edhe ata bashkëpërgjegjës, sepse u takon të flasin, të veprojnë dhe ta mbrojnë dinjitetin e veteranit të UÇK-së!
Vazhdon…