Avokati Arianit Koci i cili po qëndron në Serbi ka folur në lidhje me ndalimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut dhe akuzat ndaj tij.
Përmes një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ai u shpreh se kallëzimin penal e ka bërë BIA serbe dhe sipas tij është komplet i pabazuar, përcjell Klankosova.tv.
“Unë kam marrë dokumentacionin komplet të pretendimeve të prokurorisë, pra kallëzimin penal e ka bërë BIA serbe, organi i sigurisë dhe është komplet i pabazuar”.
“Gabimi i parë është se këtu klienti im paraqitet si snajperit në njësitin e tij, ai së pari nuk ka qenë kurrë snajperit dhe njësiti i tij nuk ka fare snajper. Mbi të gjithë, në kohën e sulmit në Banjskë ai nuk ka qenë fare pjesëtar i policisë”, tha ai.
Koci u shpreh se ka identifikuar disa gabime në atë kallëzimin penal që e kanë bindur se ky është një persekutim politik.
Ai ndër të tjera tha gjithashtu se është koha që të ketë reagim nga kryeministri dhe presidentja.
“Unë i kam identifikuar disa gabime në atë kallëzimin penal dhe të gjitha këto më kanë bindur që ky është një persekutim politik dhe nuk ka të bëjë fare me drejtësi. Për këtë arsye unë besoj që tash është koha që të reagojë edhe kryeministri edhe presidentja, nuk mjafton që vetëm Ministria e Punëve të Jashtme të angazhohet për këtë çështje”, u shpreh tutje Koci.