Arbnor Spahiu, ish-polic i Policisë së Kosovës, është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Ai po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, duke u kthyer nga Austria drejt Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu për Telegrafin.
Aktualisht, Spahiu po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.
Ai pritet të paraqitet më 9 qershor, në orën 09:00, para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Komunale të Kikindës.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po përcjell nga afër zhvillimet.
MPJD ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd dhe ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, i cili përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është angazhuar për mbrojtjen e Spahiut.
Ai ka theksuar se klienti i tij nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës që prej tre vitesh dhe jeton në Gjermani. Sipas Kocit, Spahiu është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.