Grimes, këngëtarja kanadeze dhe ish-partnerja e Elon Musk, ka shprehur sërish kritika ndaj nismave të tij, këtë herë duke vënë në shënjestër rrjetin e tij social X (dikur i njohur si Twitter).
Musk e bleu Twitter-in në vitin 2022 dhe më pas e riemëroi në X, ndërkohë që Grimes ka shmangur përdorimin e kësaj platforme. Megjithatë, ajo u rikthye së fundmi për të ndarë entuziazmin e saj për një bashkëpunim muzikor me producentin britanik të “drum and bass”, Sub Focus. Por ishte një tjetër postim i saj që mori vëmendje të madhe.
“Kam ndalur plotësisht përdorimin e rrjeteve sociale dhe tani që u ktheva, më duket krejtësisht e qartë se kjo platformë – si shumica prej tyre – është helm, një burg i mbushur me marrëzira që nuk kanë të bëjnë me askënd, gjëra që truri juaj thjesht i përjashton”, shkroi Grimes në një postim që u bë viral, duke grumbulluar mbi 1 milion shikime dhe dhjetëra mijëra komente.
Reagimet ishin të ndryshme. Disa nga komentuesit shkruanin: “Ka shumë njerëz të mrekullueshëm këtu, dhe tek ata duhet të përqendrohemi”, “Isha për kamping këtë fundjavë pa internet, dhe po, ndjehet kaq e saktë kjo që thua”, “Ka edhe anë pozitive, por është shumë e rëndësishme të kuptosh sa i dëmshëm është për trurin dhe të praktikosh vetëkontroll”.
Grimes, emri i vërtetë i së cilës është Claire Boucher, ka tre fëmijë me Elon Musk: X Æ A-Xii, Exa Dark Sideræl, dhe Techno Mechanicus.
Ky nuk është hera e parë që ajo e kritikon publikisht Muskun. Në shkurt të këtij viti, kur ai e mori djalin e tyre në Shtëpinë e Bardhë, Grimes reagoi me shqetësim: “Djali im nuk duhet të jetë i ekspozuar në publik në këtë formë. Nuk e kisha parë këtë, faleminderit që ma treguat. Por jam e lumtur që ka qenë i sjellshëm”, kishte deklaruar ajo në atë kohë.
Qëndrimi i saj i fundit është një tjetër shenjë e qartë e ndarjes jo vetëm personale, por edhe ideologjike mes dy ish-partnerëve të famshëm.