5.4 C
New York
Sunday, December 7, 2025

Buy now

Ish-ministri Shatri: Qeveria po fsheh shifrat – 213 mijë të shpërngulur, punësimi në rënie

- Advertisement -

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka kundërshtuar deklarimet e Qeverisë Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me rezultatet ekonomike gjatë mandatit katërvjeçar. Në një intervistë për Ekonomia Online, Shatri ka thënë se ministri “po paraqet vetëm shifrat që i pëlqejnë”, ndërsa po anashkalon treguesit negativë, të cilët sipas tij tregojnë për krizë të thelluar demografike dhe ekonomike në vend.

Ai ka theksuar se gjatë viteve të qeverisjes aktuale nga Kosova janë shpërngulur 213 mijë qytetarë, si dhe ka pasur rënie të madhe të numrit të nxënësve, studentëve dhe të punësuarve, sipas tij të gjitha të dhëna të publikuara nga ASK-ja.

“Nuk e di ky ministri i financave ku i ka marrë do syze që po ia qesin vetëm do numra që po ka qef me i prezentuar e disa të tjerë që janë negativ nuk po i sheh. Ndoshta po mendon që krejt popullsia janë analfabet, çka t’ju thotë ai ata besojnë se ka thanë Hoxha amin është. Fatkeqësisht nuk është ashtu, po të ishte ashtu pse nuk tregon që për katër vite të qeverisë Kurti nga Kosova janë shpërngulur 213 mijë njerëz, sipas Vjetarit të Statistikave të Kosovës, që është publikim i ASK-së që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Pra është dokumenti më zyrtar që mund të ketë vendi. Do të thotë 213 mijë njerëz janë shpërngulur brenda katër viteve, për vitin 2025 nuk ka të dhëna”, ka deklaruar ai.

Shatri ka detajuar edhe rënien e madhe të popullsisë shkollore, duke thënë se vendi po zbrazet me ritme alarmante.

“Nxënës në shkollat fillore 2024–2025 janw 21 mijë më pak se në vitin 2020–2021. Do të thotë 21 mijë nxënës deri në vitin e nëntë të shkollës janë më pak në Kosovë në fund të vitit 2024. 11 mijë janë nxënës të shkollave të mesme më pak, që po bëjnë 32 mijë, veç nxënës deri në shkollë të mesme. 31 studentë janë më pak në vitin shkollor 2024–2025 se sa në vitin 2020–2021. Nëse është ky sukses me shpraz Kosovën me këta të rinj që janë e ardhmja e Kosovës, po vazhdojmë me këtë sukses se edhe pesë vjet tjera nuk do të jetë askush këtu sipas kësaj dinamike”, ka theksuar ai.

Duke folur për tregun e punës, ai tha se gjendja është shumë më e rëndë sesa paraqitet nga qeveria.

“Kemi popullsi jo aktive që janë në moshë pune, 57 për qind janë popullsi jo aktive që nuk merren me kurgjë. Këta që janë në moshë pune konsiderohen prej 15 deri 65 vjeç, në këtë grupmoshë në Kosovë në vitin 2024 kanë qenë 57 për qind jo aktiv, që nuk merren me asgjë. Në këtë përqindje më të madhe ka grupi i fermave sepse papunësia te këta është shumë e shprehur”, ka thënë ai.

Ish-ministri ka bërë të ditur se vetëm brenda vitit 2024 janë 11 mijë të punësuar më pak sesa një vit më parë.

“Në vitin 2024 janë 11 mijë të punësuar më pak se në vitin 2023, do të thotë numri absolut i të punësuarve ka rënë për 11 mijë brenda një viti. Ky trend është mjaft shqetësues, sigurisht këta 11 mijë janë në grupin e atyre 213 mijëve që janë shpërngulur”, ka theksuar ai.

Shatri ka kritikuar ashpër edhe mënyrën se si qeveria po paraqet rritjen e pagave, duke e quajtur të rreme në raport me inflacionin e vërtetë të shportës së konsumit.

“Pagat mesatare edhe të sektorit publik edhe privat për katër vite nominalisht janë rritur 37 për qind, e neto janë rritur 32 për qind. Inflacioni në këtë periudhë e kemi në indeksin e çmimeve për këto vite është diku te 30 për qind. Ky inflacion është inflacioni mesatar i çmimeve ku hyjnë edhe çmimet e ndërtimit, çmimet e prodhimit e të tjera, kurse norma e rritjes së çmimeve të artikujve të konsumit për këtë periudhë sipas statistikave zyrtare është mbi 60 për qind. Që do të thotë paga është rritur 32 për qind, indeksi i çmimeve të artikujve të shportës është diku 60 e diçka për qind, i bie që 30 për qind ata të punësuar që marrin pagë në Kosovë kanë marrë më pak pagë me aftësi blerëse 30 për qind më të vogël se në vitin 2020. E viti 2020 është vit i krizës, vit i pandemisë”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme

Të fundit