Ish-ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ante Kotromanoviq ka komentuar armatosjen e Serbisë, por edhe çështje të tjera të sigurisë që lidhen me rajonin dhe botën.
Në një intervistë në N1, ai përmendi edhe Kosovën, duke thënë se beson se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do ta kishte sulmuar nëse lufta e Rusisë me Ukrainën do të shkonte ndryshe.
“Do të doja të kujtoj se Kroacia dhe Serbia në vitin 2009 nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim ushtarako-teknik. Në bazë të saj u kemi dërguar ndihmë gjatë përmbytjeve, ndërsa së bashku kemi realizuar rreth dhjetë apo 15 stërvitje ushtarake të llojeve të ndryshme. Gjithçka që Aleksandar Vuçiq po bën tani rreth armatosjes është një instrument i brendshëm, me të cilin forcon pozitën e tij dhe pozitën e partisë së tij, së bashku me përpjekjen për t’i kontrolluar të gjitha segmentet që i duhen për të qëndruar në pushtet”, tha Kotromanoviq dhe vazhdoi:
“Gjithashtu, atje flasin në mënyrë obsesive për Kosovën, të cilën nuk mund ta kapërcejnë. Besoj se Vuçiq me forcat e tij dhe me disa rusë do të zbriste deri në Kosovë, po të kishte fituar Rusia ndaj Ukrainës brenda një muaji. Kush do ta kishte ndalur atëherë?”
Ai theksoi gjithashtu se ekzistojnë dallime kur armatoset Kroacia dhe kur armatoset Serbia.
“Kroacia është anëtare e NATO-s dhe ka detyrime. Kjo në asnjë mënyrë nuk është kërcënim, dhe nuk do t’i bashkonim forcat për ta sulmuar Serbinë. Këto janë marrëzi të pastra”, tha ai.






