Ish-ministri i Jashtëm shqiptar: Kriminelët serbë janë dënuar më pak se shqiptarët

- Advertisement -

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha se, me kërkesën e prokurorisë së Hagës, do të njolloset e gjithë Ushtria Çlirimtare, shteti i Kosovës dhe shqiptarët.

Bumçi argumentoi se kjo është e padrejtë, por fjalën e fundit do ta japë gjykata, për të cilën tha se shpreson të tregohet e drejtë.

“Nuk është fundi i historisë. Është vetëm aktakuza. Nuk bëhet fjalë për 4 individë, por për luftën që solli pavarësinë. Do të njolloset e gjithë ushtria çlirimtare. Nuk është çështje individësh; do të jetë shteti i Kosovës që do të marrë një njollë, shqiptarët që do të marrin një njollë dhe kjo nuk është e drejtë. A mund të kenë ndodhur krime më të rënda si në Bosnje, ku pati gjenocid? Atje pati dënime më të lehta sesa kërkon prokurori”.

“Është moment i rëndë për Kosovën dhe për të gjithë. Gjykatësi shpresojmë që do të japë drejtësi dhe pafajësi. A mund të ishte bërë më shumë? Këtu ndërhyjnë shumë faktorë; nuk është e para gjykatë që ngrihet në këtë formë hibride, mes kombëtares dhe ndërkombëtares. A kishte alternativë të mos ngrihej? Jo, sepse do ta ngrinte Këshilli i Sigurimit”, u shpreh Bumçi në TopChannel.

Tutje, ai kujtoi kohën kur u shpall pavarësia e Kosovës, duke thënë se atëherë Serbia ndërmori disa hapa për të penguar shtetin kosovar.

“Si fillim, u mundua të ndalojë njohjen nga vendet e botës, së bashku me Rusinë dhe Kinën. Kaluam edhe një periudhë çoroditjeje kombëtare. Federica Mogherini ishte haptas pro ndryshimit të kufijve. Si mundet që brenda një institucioni të tillë të ketë mbështetje për një nismë të tillë? Kjo është një çoroditje e Perëndimit. Merkel ndërhyri fort për ruajtjen e kufijve”, tha Bumçi.

Ish-ministri shqiptar argumentoi se kriminelët serbë janë dënuar më pak se shqiptarët.

Të ngjashme

Të fundit