“Zbatimi i mëtutjeshëm i atij plani duhet të ndalet derisa të shkaktohet dëm i pariparueshëm për interesat kombëtare të Serbisë dhe derisa Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur këtë është referendumi për refuzimin e marrëveshjes franko-gjermane”, tha Jeremiq në Jagodinë të Serbisë, ku ka biseduar me qytetarët të cilët kanë nënshkruar nismën e Partisë Popullore për shpalljen e referendumit.
Ish shefi i diplomacisë serbe, Jeremiq tha se të hënën në Strasburg do të mbahet takimi i Komitetit të Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, ku do të shqyrtohet pranimi i Kosovës në atë organizatë.
“Aty votohet me shumicë dy të tretash, dhe është e pakontestueshme se Kosova e ka atë shumicë, e ka që nga viti 2011, por procedura nuk ka filluar asnjëherë deri më tani. Të hënën me shumë gjasa do të bazohet në dokumentin ku thuhet qartë se bazohet në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit”, tha Jeremiq, transmeton Telegrafi.
Siç raportojnë mediat serbe, Jeremiq tha se mbajtja e një referendumi, në të cilin populli do të thotë me vendosmëri “jo” dhe do ta refuzojë atë dokument (marrëveshjen e fundit të Brukselit dhe Ohrit), do ta detyrojë qeverinë të harmonizojë politikën e saj me vullnetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve, sepse më shumë se 80 për qind e popullit në Serbi janë kundër asaj marrëveshjeje, me të cilën Serbia praktikisht njeh pavarësinë e Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që nisma e Partisë Popullore për shpalljen e referendumit të mbështetet nga organizata të tjera politike dhe shpresoj që me kalimin e kohës t’i bashkohen kësaj nisme gjithnjë e më shumë parti, një nga një domino të bien dhe bëhet gjithnjë e më shumë e qartë se zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane në të vërtetë zbaton pavarësinë e Kosovës”, tha Jeremiq.
Jeremiq u bëri thirrje të gjithë atyre që përkujdesen që “ne të mos jemi gjenerata e parë në historinë e Serbisë që vullnetarisht heqim dorë nga Kosova” dhe të mbështesin thirrjen e referendumit.
“Askush nuk ka të drejtë të heqë dorë nga territori ynë në emër të Serbisë dhe në emër të të gjithë brezave të kaluar dhe të ardhshëm. Për çështje kaq të rëndësishme mund të vendosë vetëm populli, sepse populli është bartës i sovranitetit dhe është më i vjetër se të gjitha institucionet dhe individët”, tha Jeremiq.
Ai tha se deri më tani më shumë se 20 mijë qytetarë e kanë përkrahur shpalljen e referendumit dhe se mbledhja e nënshkrimeve po ecën me ritmin e pritur.
“Kur t’u shpjegojmë qytetarëve se për çfarë bëhet fjalë dhe për çfarë tradhtie po përgatitet, nëntë nga dhjetë prej tyre do të nënshkruajnë iniciativën për shpalljen e referendumit, duke përfshirë edhe ata që janë dashamirës të partive në pushtet”, tha Jeremiq.