7.3 C
New York
Wednesday, January 14, 2026

Buy now

Ish-ministri i Energjisë: Qeveria të veprojë urgjentisht, kriza energjetike pasojë e mungesës së investimeve

- Advertisement -

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, ka deklaruar se mungesa e energjisë elektrike në Kosovë nuk është problem i përkohshëm, por rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së investimeve strategjike dhe i reformave të parealizuara në sektorin energjetik.

Ai ka theksuar se termocentralet Kosova A dhe Kosova B janë të vjetruara dhe nuk po arrijnë të përmbushin kërkesën në rritje, duke detyruar vendin të importojë energji me çmime të larta në tregjet ndërkombëtare.

Çeku i ka bërë thirrje Qeverisë që të veprojë me urgjencë për rehabilitimin e blloqeve ekzistuese dhe për nisjen e procedurave për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në partneritet me investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë kompani amerikane dhe gjermane.

Sipas tij, vetëm përmes investimeve në kapacitete me bazë lignitin dhe zhvillimit paralel të burimeve alternative të energjisë, Kosova mund të sigurojë stabilitet afatgjatë dhe të ulë varësinë nga importi.

Postimi i plotë:

Kosova pa energji në fillim të shekullit XXI
Në këto ditë të ftohta të dimrit, vendi ynë po përballet sërish me mungesë serioze të energjisë elektrike. Ky problem nuk është i rastësishëm dhe as i përkohshëm,ai është rezultat i një krize strukturore që është përsëritur ndër vite, për shkak se Kosova nuk ndërtoi me kohë kapacitete të reja energjetike dhe nuk realizoi reforma të qëndrueshme në sektorin energjetik.
Përdorimi intensiv i termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, të cilat tashmë janë kapacitete të vjetruara dhe me efikasitet të ulët, nuk po arrin të mbulojë kërkesat në rritje të konsumatorëve. Për pasojë, vendi detyrohet të importojë energji në periudha kur çmimet në tregjet ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të larta, duke krijuar barrë të rëndë për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë familjare.
Në këtë situatë, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të veprojë me urgjencë dhe me përgjegjësi strategjike.
Së pari, është e domosdoshme që të realizohen rehabilitimet e plota dhe të shpejta të blloqeve të Kosovës A dhe Kosovës B, duke garantuar stabilitet teknik, siguri operacionale dhe rritje të prodhimit vendor.
Së dyti, paralelisht me rehabilitimet, duhet të hapen menjëherë procedurat për ndërtimin e një ose dy blloqeve të reja energjetike, në partneritet me bashkëinvestitorë privatë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kosova duhet të ftojë dhe të përfshijë në këtë proces kompani të fuqishme dhe të specializuara, veçanërisht amerikane dhe gjermane, të cilat kanë përvojë të avancuar në ndërtimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike me bazë lignitin, si dhe në rehabilitimin e termocentraleve ekzistuese. Përfshirja e këtyre kompanive do të sillte jo vetëm teknologji të re, por edhe standarde më të larta të menaxhimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të ndotjes.
Përvoja ndërkombëtare tregon se rehabilitimi i blloqeve me bazë lignitin është i realizueshëm dhe i domosdoshëm për vendet që mbështeten në këtë burim energjie. Gjermania, Polonia, Çekia, Rumania, Bullgaria dhe Serbia kanë investuar në modernizimin e blloqeve ekzistuese, në rritjen e efikasitetit të prodhimit dhe në instalimin e teknologjive të reja për filtrimin e gazrave dhe reduktimin e emetimeve, duke siguruar stabilitet energjetik dhe duke ulur varësinë nga importi.
Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të punojë seriozisht në zhvillimin e projekteve hidroenergjetike, si dhe në zgjerimin e burimeve alternative të energjisë (energji diellore, energji nga era dhe forma të tjera të qëndrueshme), me qëllim diversifikimin e burimeve dhe rritjen e sigurisë energjetike në afat të gjatë.
Nëse Qeveria nuk harton dhe nuk zbaton një program të qartë kombëtar për daljen nga kjo situatë, gjërat do të përkeqësohen edhe më shumë, sidomos në aspektin financiar. Shpenzimet enorme të buxhetit për import të energjisë do të vazhdojnë të rriten dhe do të prodhojnë pasoja të rënda për sektorët jetikë të zhvillimit të Kosovës. Në këtë kuptim, zgjedhja është e qartë ,ose investojmë sot në kapacitete energjetike, ose nesër do të paguajmë shumë më shtrenjtë pasojat e politikave të gabuara dhe të mungesës së planifikimit strategjik.
Vetëm projekte të mëdha energjetike, të bazuara në shfrytëzimin racional të lignitit dhe në zhvillimin paralel të energjisë alternative, të realizuara në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, mund ta zgjidhin këtë telash të rëndë që po e dëmton ekonominë e Republikës dhe po e kërcënon sigurinë energjetike të qytetarëve.
Shembuj të qartë të planifikimit afatgjatë energjetik dhe modernizimit të kapaciteteve ekzistuese mund të shihen në rajon dhe në Evropën Qendrore, ku shtete të ndryshme kanë arritur të forcojnë qëndrueshmërinë energjetike përmes rehabilitimit të blloqeve me bazë lignitin dhe zhvillimit paralel të burimeve të reja energjetike.
Me fushatë elektorale nuk zgjidhet ky problem i madh për shtetin tonë.

Të ngjashme

Të fundit