Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, komentoi proceset gjyqësore që po zhvillohen në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se Ligji për Dhomat e Specializuara përcakton qartë ligjet që duhen aplikuar.
Megjithatë, Hasani shprehu shqetësim për çështjen e standardeve ligjore në rastin e Sali Mustafës, ku, sipas tij, nuk është zbatuar parimi themelor i të drejtës penale, që favorizon ligjin më të butë kur ndryshojnë ligjet gjatë periudhës mes kryerjes së veprës dhe gjykimit.
Ai shtoi se ligjet janë aplikuar, por me një interpretim të gabuar, duke u referuar ndryshimeve të bëra nga Richard Kushner, i cili hoqi dënimin me vdekje, por la pezull disa çështje të rëndësishme ligjore që kishin të bënin me dënimet që ishin në fuqi para kësaj periudhe.
“Nuk mund të themi se nuk po i aplikon (ato ligje). Mirëpo, kur të kemi të bëjmë me Sali Mustafën, ato kanë cenuar një standard i cili është i vendosur kaherë me shekuj në të drejtën penale, se duhet të aplikohet ligji më i butë. Domethënë, nëse nga koha e kryerjes së veprës penale deri kur të gjykohet personi, disa herë ka ndryshuar ligji, gjithmonë zgjidhet ai ligj i cili ka qenë më i favorshëm, i ndryshuar në favor të të pandehurit. Dhe këtë dimension nuk e kanë zbatuar te rasti i Sali Mustafës”, thotë ish-kryetari i Supremes.
“Janë duke i aplikuar ligjet, por janë duke i interpretuar gabimisht për faktin se ato po i referohen një ndryshimi të ligjit që ka ndodhur nga ana e Kushnerit, sepse Kushneri e ndryshoi ligjin që aplikohej në Kosovë me ardhjen në pushtet si përfaqësues special i OKB-së, e hoqi dënimin me vdekje, mirëpo një periudhë kohore e la pezull se çfarë ndodh me atë çështje penale që deri në atë moment ka qenë i paraparë dënimi me vdekje”.
“Kur reaguan gjyqtarët e Kosovës se çfarë ka ndodhur me këtë, atëherë e bënë ndryshimin e dytë duke e paraparë dënimin deri në 40 vjet. Gjithmonë po i referohen se këtij ndryshimi 40 vjet se kanë të drejtë për me shqiptu dënim mbi 15 vjet”, tha ai në “Info Magazinë”.