Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka komentuar gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmeti tha se nuk ka qenë ndërmarrje kriminale, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe tha se përkundër asaj që ka ndodhur pas luftës ai është bashkë me ish-krerët, Thaçin, Krasniqin, Selimin dhe Veselin.
“Por gjykimi nuk po duket i tillë. Ndërmarrja e përbashkët kriminale nënkupton që krerët e UÇK janë lidhur kriminalisht për të kryer krime lufte. Sipas prokurorisë, Hashimi, Jakupi, Kadria dhe Rexhepi janë mbledhur dhe kanë organizuar UÇK-në për të kryer krime lufte e për të vrarë civil. Rexhën e kam shok, Jakup Krasniqin e kam takuar disa herë e Hashim Thaqin e Kadri Veselin i kam luftuar politikisht sa kam mujt. Por sot nuk i ndaj. Nuk i ndaj as nga ne. Kjo ndërmarrje e përbashkët “kriminale” është ndërmarrja jonë e përbashkët çliruese”, ka thënë Ahmeti.
Ai akuzoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurtin, me pretendimin se nuk guxojnë ta bëjnë atë.
“P.S. Akuza për heshtje i drejtohet posaçërisht Presidentes e Kryeministrit. As juve nuk ju ndaj nga ne. Arsyetimi se ju është kërkuar të mos komentojnë nuk pin ujë sepse tashmë kanë komentuar çdo gjë tjetër. Njoftimi për kandidimin e Kosovës për lojra mesdhetare në ditën që fillon gjyqi ndaj neve është jo vetëm injorues por edhe ofendues”, ka shtuar më tutje Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se të gjithë, edhe ata në pushtet por edhe në opozitë, duhet ti harrojnë votat në këtë moment.