Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka deklaruar se Milan Radoiçiqi, udhëheqësi i grupit të armatosur të Serbisë që kreu sulmin terrorist në fshatin Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, i ka ardhur fundi në Kosovë.
Në një video të siguruar nga RTK-ja, Radoiçiqi shihet duke grushtuar brutalisht Aleksandar Spiriqin, ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut.
Shala ka theksuar se Radoiçiqi dihet se është një kriminel i dhunshëm dhe ka theksuar se ka kohë që ky individ ka vepruar kështu në veri të Kosovës.
Megjithatë, ai ka shtuar se tashmë i ka ardhur fundi Radoiçiqit në Kosovë, dhe duhet t’i përgjigjet ligjit.
Shala ka shtuar se aktualisht Radoiçiqi është në Serbi, por ka theksuar se ai nuk do të jetë i sigurt kudo që të shkojë.
Në përfundim, Shala ka kërkuar nga shteti i Kosovës që të ketë kujdes ndaj këtij krimineli dhe të sigurojë që ai të përgjigjet para ligjit, duke shprehur nevojën që ai të vihet në pranga.
“Këtu nuk ka çfarë të pritet prej një krimineli përveç dhunës. Shihet se si njeri është i dhunshëm dhe shumë kohë ka vepru në Kosovë, por tashmë i ka ardhur fundi. Ne e kemi ditur që ky njeri ka qenë i dhunshëm për shumë kohë që ka vepru në veri të Kosovës, por meqenëse ka ikur dhe ka një fletarrest, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Interpoli, ky njeri duhet të përgjigjet para ligjit. Por ai është sot në Serbi i sigurt, diku tjetër nuk do të jetë i sigurt. Ky është kriminel, ky vetëm dhunën e ka fuqi të parë, prandaj shteti ynë duhet të ketë edhe kujdes ndaj tij, pasi duhet të shkojë brenda grilave”, ka deklaruar Shala në emisionin “FIVE”.