17.1 C
New York
Sunday, April 20, 2025

Buy now

Ish-kryeministri slloven Janez Jansha lirohet nga akuzat për korrupsion, pritet nga qindra mbështetës

- Advertisement -

Një gjykatë sllovene ka shpallur të pafajshëm Janez Jansa, i cili ka qenë kryeministër tri herë dhe sot figurë kyçe e opozitës në Slloveni, së bashku me dy bashkëpunëtorë të dyshuar, për akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Jansa, që është kryetar i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), partia më e madhe opozitare në vend, e kishte cilësuar aktakuzën një përpjekje për ta larguar nga politika përpara zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për vitin 2026, raporton Reuters.

“Megjithëse që nga fillimi ishte një farsë e qartë dhe e dukshme, prokurori kërkoi dy vjet burg,” tha Jansa para mbështetësve të tij, të cilët e pritën me brohoritje jashtë gjykatës. “Fitorja e sotme është me thonjza – beteja jonë këtu nuk ka përfunduar.”

Qindra mbështetës të tij ishin mbledhur jashtë gjykatës në qytetin lindor të Celjes, duke valëvitur flamuj sllovenë dhe duke mbajtur pankarta që akuzonin sistemin gjyqësor për korrupsion dhe njëanshmëri.

Jansa, 66 vjeç, një populist i djathtë, ishte akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me një shitje prone në vitin 2005, kur shërbente në mandatin e tij të parë si kryeministër.

Rasti përfshinte gjithashtu drejtorët e dy kompanive të cilët kishin marrë pjesë në një sërë transaksionesh të lidhura me shitjen e një toke në pronësi të Jansas, në një marrëveshje të supozuar për të blerë një apartament për të në kryeqytetin Lubjanë.

Jansa, i cili udhëhoqi përpjekjen e Sllovenisë për pavarësi nga Jugosllavia në vitin 1991 dhe ka shërbyer tri herë si kryeministër, ishte dënuar me dy vjet burg në vitin 2013 për ryshfet në një marrëveshje të vitit 2006 me kompaninë finlandeze të mbrojtjes, Patria, gjatë mandatit të tij të dytë si kryeministër.

Të ngjashme

Të fundit