Shkrimtari dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, ka folur në emisionin Rubikon për shkrimtarin Ismail Kadare dhe përplasjet që kishte pasur me të gjatë vitit 2005 sa vetë ishte ministër.
Mustafaj i vlerësoi lartë veprat letrare të Kadaresë, por tha se ai nuk ka shkëlqyer kurrë në analiza politike.
“Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i rinisë time. Pa veprën e tij dhe pa praninë e tij fizike në Tiranë unë besoj se nuk do të kisha qenë në gjendje – unë dhe shkrimtarët tjerë të brezit tim – nuk do të kishim qenë në gjendje ta luftonim aq mirë auto censurën, sepse censura ishte atje”.
“Kadareja na tregonte se mund të shkohej më larg në shfrytëzimin e hapësirave estetike dhe politike në veprat tona, pra në këtë kuptim ai është shkrimtari më i rëndësishëm i rinisë time. Besoj se ai nuk ka shkëlqyer kurrë në analizat e tij politike as para të 90-ës as pas të 90-ës”, tha Mustafaj, transmeton Klan Kosova.
Ish-diplomati shqiptar tha se Kadare është shkrimtari i vetëm i cili nuk ka mundur të përshtatet me lirinë.
“Veprat e tij më të rëndësishme i shkroi në mungesë të lirisë. “Pallati i ëndrrave” është një nga romanet më të rëndësishme që i kam lexuar në jetën time, përfshirë letërsinë botërore, e ka shkruar në vitet 80-ta, në kulmin e represionit. Më pas nuk ka shkruar vepra aq të rëndësishme, se pata e bën vezën më të madhe se pula, sido që të vijë puna, edhe kur është vezë e vogël është vezë pate, por krahasuar me vetveten ai veprat më të rëndësishme, më solide, më të forta i ka shkruar para viteve të 90-ta”.
Mustafaj tha se asnjëherë nuk e ka kuptuar përse në kohën sa ishte ministër i Jashtëm u kritikua nga Kadare.