Ish-komandanti i Forcave dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati në një intervistë për Periskopin ka folur për alarmin e tepruar nga krerët e shtetit lidhur me luftën Rusi-Ukrainë dhe mundësinë e përhapjes dhe destabilizimit të rajonit.
Kastrati ka treguar po ashtu nëse Kosova do të mund të futet me procedura të përshpejtuara në NATO, siç po synojnë institucionet e vendit.
I pyetur se pse sipas krerët e shtetit po alarmojnë me deklarata të shpeshta për luftën, Kastrati tha se sipas tij, nuk ka nevojë për shqetësime kaq të mëdha.
“Përhapja e panikut është e panevojshme tek qytetarët e Republikës së Kosovës për arsye se ne e kemi NATO’n në Kosovë. NATO’ja është përgjegjëse për sigurinë dhe kufinjtë e Kosovës. Një kujdesje, një vigjilencë është shumë e nevojshme, por jo panikë e tepruar. Është një alarmim i tepruar. Dhe kjo ndoshta pak për shkak që me i alarmuar edhe shtetet mike tonat për një vigjilencë edhe një prezencë ushtarake më të madhe, por unë mendoj që nuk ka nevojë për një alarm kaq të madh”, tha Kastrati.
Sa i përket mundësisë së anëtarësimit të Kosovës me procedura të përshpejtuara në NATO, Kastrati u përgjigj se kjo sipas mendimit të tij nuk do të ndodhë, sepse NATO i ka procedurat e veta, NATO i ka rregullat e veta që nuk mund të përshpejtohet si proces.
“I kemi katër shtete të NATO’s që nuk na kanë njohur dhe ato duhet të na njohin paraprakisht dhe duhet që parlamentet e tyre ta votojnë, sepse e kanë rregull që nëse pranohet një shtet i ri, duhet që gjitha parlamentet e tyre të votojnë veç e veç, duhet të jetë një konsensus i plotë politik dhe kjo është çështje politike. Çështjet teknike operacionale ne i kemi plotësuar, por çështjet politike janë diçka krejt tjetër”, theksoi Kastrati.