Të martën, më 1 korrik, janë vendosur gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një për kalimin e veturave dhe tjetra për këmbësorë, si pjesë e një projekti të përbashkët ndërmjet Qeverisë dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemeleve morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetari i Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Por ndryshe nga entuziazmi institucional, ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Veseli, është kritik ndaj vendosjes së gurthemeleve për dy ura të reja mbi lumin Ibër, duke e cilësuar si “lajm të keq”.
Veseli, në FIVE në TV Dukagjinit, ka thënë se më shumë kuptim do të kishte investimi në institute kërkimore shkencore, si për industrinë e dronëve apo aeronautikës, sesa në ura.
“Do të ishte lajm sikur të dëgjonin, që janë vendosur gurthemelet e një termocentrali të ri të rrymës. Që të mos t’i shohim tymtarët e termocentraleve tona, sikurse i pamë, pa tym. Pra, edhe me tymin e ndotur na merrte malli mi pa. Do të ishte lajm sikur të vendosjes gurthemeli i një instituti kërkimor shkencor, për shembull për industrinë e aeronautikës, të prodhimi të dronëve.
Për mua nuk kjo nuk është lajm, është lajm i keq”, ka thënë Veseli.
Krahas kësaj, Veseli u shpreh se ndarja që ekziston sot në Urën e Ibrit nuk është shkaktuar nga shqiptarët, por është pasojë e veprimeve ndërkombëtare, konkretisht të ushtrisë franceze që ishte e vendosur aty pas luftës.
“A ishin fajtor shqiptarët që erdhi te ndarjanë atë pikë të urës së Ibri, apo ishte dikush tjetër? Ka qenë një situatë delikate dhe këtë ndarje e kemi pasur dhuratë nga një aleatë, përmes të cili ka ardhur liria e Kosovës. Është mendimi i imi. Është Franca, kanë qenë ushtarët e Francës. Sepse kur vendohet një ushtar i një shteti, çizmja e tij, ai e përfaqëson shtetin e vet. Në atë urë ka qenë çizmja e ushtarit francez që s’ka lejuar që shqiptarët e serbët të bashkohen përmes asaj ure”, ka shtuar ish-koloneli i FSK-së.