Durim Berisha, jurist i njohur, është ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti në Qeverinë Kurti I. Në një prononcim për gazetën Nacionale, Berisha vlerësoi se përderisa Serbia deklaron se nuk ka pranuar asnjë marrëveshje me Kosovën, atëherë nuk ka çfarë të ratifikohet.
Tutje, ai e ka kritikuar edhe ish-shefin e tij, Kurtin, duke thënë se po bën ekzibicione jokushtetuese sikur paraardhësit e tij.
“Përderisa Serbia e bën të qartë se “nuk ka pranuar asnjë marrëveshje me Kosovën”, nuk kemi çka të ratifikojmë. Një gjë është e sigurtë se Komuniteti Ndërkombëtar po vazhdon ta shfrytezojë paditurinë dhe infantilizmin juridik të Kosoves, pasi po e detyron të zbatojë dokumente jo-juridike nën preteksin se ato janë marrëveshje ndërkombetare. Ndërsa Kryeministri Kurti, sikurse paraardhësit e tij, po vazhdojnë të implementojnë ekzibicione jokushtetuese duke anashkaluar Kushtetutën dhe procedurat që ajo parasheh për marrjen sipër të obligimeve ndërkombetare” – theksoi Berisha.