Lista “Për familje”, koalicioni që do garojë në zgjedhje e 9 shkurtit me Eman Rrahmanin si prijës të listës ka marrë përkrahje nga një ish-zyrtar i lartë i LDK-së.
Ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës nga LDK, Armend Agolli ka përkrahur listën në të cilën do të jenë prijës Eman Rrahmani, Behgjet Pacolli, Visar Korenica e Ferid Agani.
“Jam larguar nga politika dhe nuk do të jem pjesë e asnjë partie, por do të përkrah çdo iniciativë që i shërben kombit dhe shtetit tonë, përfshirë lëvizjen për mbrojtjen e familjes. Ky koalicion përbëhet nga njerëz të ndershëm, të pakorruptuar e të moralshëm që vlerësojnë familjen dhe kombin. Familja është qeliza bazë e kombit, por sot është nën sulm nga pushtetarët e pamoralshëm. Drogat lulëzojnë në shkolla, me fëmijë të moshës 9 vjeç që konsumojnë substanca, pa asnjë veprim nga shteti apo opozita. Në vend të prindërve, sot i quajnë “prindi 1” dhe “prindi 2”, duke humbur vlerat emocionale dhe shoqërore të familjes.
76% e nxënësve nuk dinë të lexojnë, duke na renditur nder te fundit në PISA. Akademikët në universitetet tona nuk e justifikojnë titujt e tyre, dhe shumë profesorë janë të përfshirë në plagjiatura. Mbi 20,000 diploma janë të pavlefshme për shkak të mashtrimeve të kolegjeve private. Divorcet janë në rritje të madhe, për shkak të mungesës së edukimit të drejtë dhe vlerave morale në familje. Institucionet shtetërore nuk ofrojnë mbështetje për çiftet që përballen me vështirësi.
Nëse nuk e mbrojmë familjen, rrezikojmë të humbim edhe kombin. Të gjithë duhet të bashkohemi në këtë kauzë” shkruan doktori Agolli në Facebook.