Ish-kampioni i botës në IBF dhe WBA, Paul Malignaggi, ka folur për të ardhmen e boksierit ukrainas Oleksandr Usyk, i cili në korrik u bë përsëri kampioni i padiskutueshëm i botës në peshat e rënda.
Në një intervistë në podkastin e Carl Froch, Malignaggi vuri në dukje se Usyk tashmë ka arritur kulmin dhe nuk është i detyruar të vazhdojë, transmeton Klankosova.tv
“Kush jam unë që t’i them një burri të rritur me tituj të tillë se çfarë të bëjë? Sipas mendimit tim, ai ka performuar shkëlqyeshëm dhe nuk ka më asgjë për të provuar. Asgjë nuk do ta bëjë më të madh. Disa njerëz mund të thonë se është më i mirë se Aliu, të tjerë thonë se duhet të bëjë më shumë për ta tejkaluar Muhamedin, por asgjë që ai bën nuk do t’i bindë të gjithë”, tha Malignaggi.
Malignaggi gjithashtu beson se ka ardhur koha që Oleksandr Usyk t’i varë dorezat.
“Duke vazhduar të boksosh, rrezikon të plakesh brenda natës, të rrihesh dhe pastaj njerëzit do të thonë se nuk je më i miri. Nuk po i them askujt çfarë të bëjë, por nëse do të isha në vendin e tij, do të tërhiqesha”, tha Malignaggi.