7.4 C
New York
Wednesday, November 19, 2025

Buy now

Ish-gjyqtari i Speciales tregon sfidat me të cilat po përballet pasi u fut në listën e zezë nga ShBA-të

- Advertisement -
Nicolas Guillou, gjyqtari francez që konfirmonte aktakuzën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është goditur keq nga sanksionet amerikane. Për të, jeta ka ndryshuar në 180 shkallë.

Më 20 gusht të këtij viti, administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte vendosur sanksione ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në mesin e tyre ishte edhe Nicolas Guillou, gjykatësi paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale. Guillou, për gazetën franceze “Le Monde” ka folur për ndikimin e këtyre masave në punën dhe jetën e tij të përditshme.

“Kjo shkon përtej një ndalimi të thjeshtë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Këto sanksione ndikojnë në çdo aspekt të jetës sime të përditshme. Ato ndalojnë çdo person ose entitet amerikan, çdo individ ose kompani, si dhe degët e tyre të huaja, të më ofrojnë shërbime.Të gjitha llogaritë e mia me kompanitë amerikane, si Amazon, Airbnb, PayPal etj., janë mbyllur. Për shembull, bëra një rezervim në Expedia për një hotel në Francë dhe, disa orë më vonë, mora një email nga kompania që anulonte rezervimin tim, duke përmendur këto sanksione. Në praktikë, nuk mund të bësh më biznes online sepse nuk e di nëse paketa që përmban produktin tënd është amerikane. Të jesh nën sanksione është si të të kthejnë në vitet 1990”, thotë ai për gazetën prestigjoze franceze.

Për Guillou-n, “makthi” nuk përfundon këtu. Ai është në listë të zezë edhe të kompanive bankare, shumica prej të cilave që funksionojnë me sisteme internacionale – janë nga SHBA-të.

“Në këtë fushë, sanksionet marrin një aspekt edhe më ndërhyrës. Disa banka, edhe nëse nuk janë amerikane, mbyllin llogaritë e individëve të sanksionuar. Çdo transaksion bankar i bërë me një individ ose entitet amerikan, ose i kryer në dollarë, ose duke përdorur një monedhë që përdor dollarin për konvertim, është i ndaluar. Në praktikë, ju jeni në listën e zezë nga bankat në një pjesë të madhe të botës. Për më tepër, të gjitha sistemet e pagesave janë amerikane: American Express, Visa, Mastercard. Brenda natës, ju e gjeni veten pa një kartë bankare, dhe këto kompani kanë një monopol pothuajse të plotë, të paktën në Evropë. Të gjitha kompanitë amerikane janë mobilizuar për të frikësuar individët e sanksionuar, që në këtë rast do të thotë gjyqtarët dhe prokurorët që punojnë për të mbështetur drejtësinë në konfliktet e armatosura bashkëkohore. Dhe është e rëndësishme të dihet se këto masa mund të mbahen për më shumë se një dekadë, ose edhe më gjatë. Vendosja e njerëzve nën sanksione i zhyt ata në një gjendje ankthi dhe pafuqie të vazhdueshme, me qëllim dekurajimin e tyre”, shton.

Francezi që shërbeu në Gjykatën Speciale tash po kërkon ndihmë nga autoritetet evropiane. Thotë, se ato mund të zbatojnë “rregulloren bllokuese”. Por çka është kjo?

“Përballë sanksioneve të SHBA-së, autoritetet evropiane mund të zbatojnë “rregulloren bllokuese” [një mekanizëm, i përdorur tashmë në të kaluarën, që mbron qytetarët dhe bizneset në Bashkimin Evropian nga efektet e sanksioneve të vendosura nga vendet e treta] . Evropa ka nevojë për sovranitet më të madh, veçanërisht në çështjet dixhitale dhe bankare. Kjo është e vetmja mënyrë për të zvogëluar ndikimin e sanksioneve dhe kështu, në mënyrë indirekte, për të mbrojtur viktimat e krimeve ndërkombëtare. Sot, nuk ka më vend për naivitet. Pa sovranitet – ushtarak, shëndetësor, bankar dhe dixhital – sundimi i ligjit nuk mund të garantohet më. Disa anëtarë të Parlamentit Evropian janë bërë të vetëdijshëm për këto çështje, por ky vetëdijesim duhet të forcohet në nivelin e shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian, sepse pas sanksioneve kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale, është në rrezik e gjithë çështja e sundimit të ligjit”, shton.

“Ndikimi i sanksioneve do të varet kryesisht nga mobilizimi i shteteve. A do të na mbështesin ata? A do të sigurohen që furnizuesit e Gjykatës të vazhdojnë të punojnë me të? Për GJPN-në, ky është një moment i së vërtetës: cilët janë mbrojtësit e saj të vërtetë? Kush ka guximin të mbrojë vlerat njerëzore përballë barbarisë? Pikërisht për këtë po flasim. Drejtësia penale ndërkombëtare nuk është abstrakte. Rastet tona kanë të bëjnë me qindra, madje mijëra, viktima të vrasjeve, përdhunimeve dhe torturave. Ato flasin për vuajtjet e tyre, për mijëra të vdekur, për persona me aftësi të kufizuara dhe për jetimë. Kur Gjykata sulmohet, janë viktimat ato që heshtin”, thotë Guillou.

Më 20 gusht të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ndër të sanksionuarit është Nicolas Yann Gillou, gjyqtari paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Masat në fjalë, siç ka njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit, janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 14203, i cili “autorizon sanksione ndaj personave të huaj të përfshirë në veprime të dëmshme nga GJPN, të cilat konsiderohen në kundërshtim me interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Sipas seksionit 1(a)(ii)(A) të këtij urdhri, “janë sanksionuar individët që janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekje të GJPN-së për të hetuar, arrestuar, ndaluar apo ndjekur penalisht persona të mbrojtur, pa pëlqimin e shtetit të tyre të shtetësisë”.

Guillou, është gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Për disa vjet me radhë ai shërbeu edhe në Gjykatën Speciale në Hagë.

Të ngjashme

Të fundit