22.8 C
New York
Thursday, August 21, 2025

Buy now

Ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it: Dënimi i krerëve të UÇK-së i shërben zyrtarëve serbë, lirimi e nxit pajtimin

- Advertisement -

Dean Pineles, ish-gjyqar amerikan në Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) nëpërmjet një shkrimi të gjatë ka folur për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale të Hagës.

Në një artikull për “Ballkan Insight” me titull “Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe shkatërrimi i mundshëm i pajtimit”, ka trajtuar faktin e provave të fundit nga Serbia që u pranuan në Gjykatën Speciale të Hagës.

Pineles që kishte shërbyer për një kohë të gjatë si gjyqtar në EULEX, flet për mundësinë e dënimit të Thaçit dhe të tjerëve, dhe rrezikun që një aktgjykim të dënues ta thellojë ndarjen dhe ta largojë pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjyqtari flet për protestën e veteranëve, reagimet nga Edi Rama, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, por edhe Richard Grenell. Ai përmend pajtimin mes dy popujve, si njërën prej arsyeve kryesore mbi të cilat u themelua Gjykata Speciale e Kosovës.

“Edhe para krijimit të Dhomave, kishte indikacione se pajtimi në Kosovë do të ishte i vështirë në çdo rrethanë. Në vitin 2012, ndërsa punoja si gjyqtar ndërkombëtar penal për misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, Haradinaj u lirua nga akuzat për krime lufte për herë të dytë nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, ICTY, në Hagë. Posterat e tij ishin ngjitur në të gjithë kryeqytetin e Kosovës dhe ai u kthye si hero lufte dhe çlirimtar, në vend të një kriminel lufte të supozuar”, ka shkruar Pineles, transmeton Nacionale.

“E vendosur në bregdetin e Detit të Veriut të Holandës, qindra milje larg Kosovës, dhe me staf ekskluzivisht nga ndërkombëtarë. Pa përfaqësim të Kosovës, gjykata për nga përkufizimi përjashton çdo ndjenjë pronësie dhe pjesëmarrjeje lokale, duke minuar gjithashtu mundësinë e pajtimit. Ndjenja pothuajse universale në Kosovë ishte, dhe është, se lufta kundër Serbisë ishte një luftë e drejtë në mbrojtje të Kosovës dhe shumicës së saj shqiptare kundër vrasjeve serbe, spastrimit etnik dhe gjenocidit të supozuar, dhe se veteranët e UÇK-së ishin heronj lufte dhe çlirimtarë, jo kriminelë lufte”, ka shkruar më tutje ky gjyqtar.

Sipas shkrimit nga Pineles, gjërat rreth pajtimit vetëm sa janë përkeqësuar.

“Sigurisht, është përtej hamendësimit të thjeshtë që Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij do të shpallen fajtorë për të paktën disa nga akuzat kundër tyre. Dhe nëse jo, rezultati do të perceptohet nga bashkësia ndërkombëtare si një humbje totale kohe dhe parash. Megjithatë, ironikisht, lirimet nga akuzat kanë më shumë shanse sesa dënimet për të nxitur pajtimin, siç u demonstrua në vitin 2012 kur Ramush Haradinaj u kthye në shtëpi si hero lufte nga ICTY”, ka shkruar ai më tutje.

Sipas gjyqtarit, dënimi i mundshëm, mund t’iu shërbejë zyrtarëve serbë, të cilët UÇK-në do ta kthenin në Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

“Nëse me të vërtetë ka dënime, kjo do të jetë në favor të zyrtarëve serbë, të cilët nuk do të donin asgjë më shumë sesa të pretendonin se lufta çlirimtare e Kosovës nuk ishte gjë tjetër veçse një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe jo një luftë për liri, duke ndezur më tej pasionet lokale. Duke marrë parasysh gjithçka, pajtimi është provuar të jetë gjë tjetër veçse një ëndërr naive midis atyre zyrtarëve ndërkombëtarë që këmbëngulën në krijimin e gjykatës; shkatërrimi i saj është praktikisht i sigurt”, ka shkruar ai.

Pineles edhe më herët ka pasur shkrime kritike për Gjykatën Speciale dhe ndikimin e saj në procesin e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme

Të fundit