Strategjia e mbrojtjes në Gjykatën Speciale të Hagës, u kthye në një diskutim më tepër politik, se juridik në Kosovë. Fakti se kush ka luftuar e kush jo, dominoi diskutimet publike pas dëshmisë së James Rubin, Paul Williams dhe John Duncan. Megjithatë, një taktikë e njëjtë mbrojtëse, ishte praktikuar edhe në Tribunalin e Hagës. Nacionale ka realizuar një intervistë me avokatin e Ramush Haradinajt në Hagë, dhe sjell detaje.
Michael O’Reilly për vite të tëra, kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës. Aso kohe, O’Reilly me figura të njohura avokatie si Benn Emmerson e Rodney Dixon, kishin përballë dy pretendime të Prokurorisë së Tribunalit për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. E para ishte që Ramush Haradinaj kishte komandë të plotë të zonës së Dukagjinit, dhe e dyta se vetëm Ushtria Çlirimtare te Kosovës ishte përgjegjësë për vrasjet e njerëzve, ndërlidhur me rastin në “Liqenin e Radoniqit”.
“Strategjia e Mbrojtjes ishte të provonte se asnjëra nga teoritë e çështjes së Prokurorisë nuk ishte e saktë”, thotë për Nacionalen ish-avokati i Haradinajt, O’Reilly.
Taktikën që e shfrytëzuan O’Reilly me avokatët e tjerë me renome ndërkombëtare ishte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një komandë efektive. Ngjashëm siç sot po e praktikon mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, me emra avokatësh, pak a shumë të ngjashëm.
“Sa i përket teorisë së parë, pa thirrur kurrë dëshmitarë të mbrojtjes, mbrojtja tregoi, përmes pyetjeve të dëshmitarëve të prokurorisë, se UÇK-ja ishte një organizatë vullnetare pa linja kontrolli ose komande efektive, dhe se Ramush Haradinaj ishte, për të përdorur fjalët e tij, ‘komandant i të gjithë atyre që dëshironin të bindeshin’. Përveç kësaj, dëshmitarët e prokurorisë dëshmuan se sjellja personale e Ramush Haradinajt ishte gjithmonë shumë e disiplinuar dhe mbrojtëse ndaj popullsisë lokale. Shkurt, ai nuk kreu krime dhe nuk urdhëroi, toleroi ose fshehu kryerjen e krimeve”, ka thënë O’Reilly për gazetën Nacionale.
Lidhur me aspektin tjetër kyç të akuzave nga Prokuroria, avokati i njohur shton se asnjëherë nuk pati prova të cilat treguan se UÇK-ja kishte kontroll të plotë në të gjitha zonat, dhe se do të mund të ishte përgjegjëse për të gjitha krimet e pretenduara.
“Sa i përket teorisë së dytë të akuzës – Zona e Kontrollit Total – provat ushtarake nga KFOR-i dhe burime të tjera – treguan në mënyrë bindëse se diçka e tillë nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Për më tepër, provat e ekspertëve vërtetuan se shumë nga njerëzit, trupat e të cilëve u gjetën në kanal, kishin qenë nën kujdesin serb, se shumë nga trupat ishin varrosur diku tjetër dhe më pas ishin zhvarrosur para se të zhvendoseshin në zonën e Liqenit të Radoniqit”, tha ai.
Pavarësisht se rasti i Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës, mbulon periudhë tjetër krahasuar me atë të Haradinajt në Tribunal, argumentet kryesore të dy prokurorive janë ndërlidhur me “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”. O’Reilly konstaton se në Tribunalin e Hagës u vërtetua që Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë autoritet mbi Ramush Haradinaj si komandant të zonës.
“Megjithatë, komanda e përgjithshme dhe natyra e UÇK-së u vunë nën shqyrtim dhe u bë e qartë se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte ndikim ose autoritet mbi Haradinajn. Në fakt, ishte e qartë se, në përgjithësi, ai e injoronte Shtabin e Përgjithshëm. Përsëri, për të përdorur fjalët e tij, Shtabi i Përgjithshëm (të cilin ai e quante Divizioni Politik) mund të kishte qenë ‘në hënë’”, thotë më tutje avokati që ishte pjesë e mbrojtjes së Haradinajt në Hagë.
Por, a kishte kontroll të plotë Haradinaj në krejt zonën e Dukagjinit, ashtu siç pretendonte atëherë Prokuroria, dhe tash kjo e Specializuar me akuzat kundër Thaçit, Selimit, Krasniqit e Veselit? O’Reilly thekson se vlerësimi për Haradinajn nga ushtarët ishte nga respekti, e jo nga pozita e komandantit të vëqrtetë.
“Provat treguan se një kontroll i tillë siç ushtroi Haradinaj buronte nga respekti për aftësitë e tij si luftëtar dhe udhëheqës, dhe se vlerësimi i tij për rolin e tij si Luftëtar dhe jo si komandant ishte i vërtetë. Ngjarjet në Gllogjan më 24 mars 1998 ishin të rëndësishme në gjenerimin e respektit për Haradinajn dhe popullin e tij. Luftëtarët vinin e iknin nga UÇK-ja: ndonjëherë luftëtarët duhej të largoheshin për periudha javësh për t’u kujdesur për familjet ose fermat e tyre. Koncepti i ‘dezertimit’ nuk kishte kuptim. Provat treguan se UÇK-ja në atë kohë kishte shumë pak ngjashmëri me një organizatë ushtarake konvencionale”, deklaron avokati Michael O’Reilly.
Ngjashëm me fjalët e O’Reilly, po funksionon edhe sot mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës. Avoktët e Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, synojnë ta dëshmojnë se nuk ka ekzistuar zinxhir i qartë komandues, aktgjykim i cili ishte konfirmuar nga Tribunali i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Me këtë bazë, dëshmuan edhe James Rubin, Paul Williams e John Duncan.