Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ekzistojnë në dy gjykimet ndaj krerëve të UÇK-së, në Tribunalin e Hagës dhe Gjykatën Speciale, për ish-avokatin e Ramush Haradinajt, Michael O’Reilly, diçka ka të përbashkët.
Sipas tij, në të dyja rastet, në krye të objektivit ka qenë cenimi i Kosovës nga Serbia.
O’Reilly fillimisht ka kujtuar procesin gjyqësor ndaj Haradinajt në Tribunalin e Hagës, duke theksuar se kishte qenë betejë e Beogradit kundër Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit i kishte mposhtur në shumë raste.
“Ekziston një ndryshim i madh midis gjyqeve të Haradinajt dhe Thaçit, i cili është i rëndësishëm për t’u theksuar. Rasti Haradinaj u ndërtua mbi akuza të bazuara tërësisht në Beograd se krime lufte u kryen në Zonën e Dukagjinit. Haradinaj ishte një objektiv shumë personal për Beogradin, si për shkak se kishte poshtëruar ashtu edhe dëmtuar forcat serbe në shumë raste”, tha ai për Nacionalen.
Serbinë e përfshin edhe në rastin e Thaçit, por në këtë rast, në kuadër të betejës politike për ta minuar pavarësinë e Kosovës.
“Gjykimi i Thaçit është gjithashtu rezultat i “diplomacisë” politike të Beogradit, por në këtë rast duke synuar legjitimitetin e vetë Republikës së Kosovës, bazuar në akuzat plotësisht të hedhura poshtë, absurde dhe shpifëse të raportit të Dick Marty-t – zanafilla e të cilit gjendet edhe në Beograd (bazuar në dëshminë e një dëshmitari të korruptuar të përdorur gjithashtu në Haradinaj)”, ka thënë O’Reilly më tutje.
Ai ka thënë se Kosova është treguar naive me themelimin e Speciales. Ai kujton se si rasti kundër Ramush Haradinajt ka qenë tmerrësisht i dobët, dhe vetëm sa për të dërguar në Hagë ish-eprorët e UÇK-së.
“Në rastin Haradinaj, të gjitha akuzat u hodhën poshtë pas shqyrtimit intensiv të çështjes së Prokurorisë. Çështja ishte gjithmonë e dobët dhe e ngritur nga Carla Del Ponte vetëm për të siguruar transferimin në Hagë të të arratisurve të lartë ushtarakë dhe politikë serbë nga drejtësia. Beogradi e përmbushi anën e tij të marrëveshjes”, tha ish-avokati i Ramush Haradinajt për Nacionalen.
Avokati i njohur thekson se tash me Gjykatën Speciale, Beogradi po synon ta inojë legjitimitetin e shtetit të Kosovës, dhe shumë varet nga rezultati përfundimtar i gjykimit.
“Në rastin Thaçi, akuza është se Shtabi i Përgjithshëm dhe Qeveria e Përkohshme e mëvonshme ishte një ndërmarrje e motivuar kriminalisht e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tjerë, dhe se ata ushtronin komandë dhe kontroll ushtarak dhe, më vonë, civil. Ka qenë e nevojshme, supozoj, që Mbrojtja të thërrasë dëshmitarë ekspertë ndërkombëtarë të cilët mund të dëshmojnë se asgjë nga kjo nuk është e vërtetë. Objektivi, për Beogradin, është të minojë legjitimitetin e vetë Shtetit. Shumë gjëra varen nga rezultati i çështjes”, tha ai për Nacionalen.
Strategjia e mbrojtjes
Michael O’Reilly për vite të tëra, kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës. Aso kohe, O’Reilly me figura të njohura avokatie si Benn Emmerson e Rodney Dixon, kishin përballë dy pretendime të Prokurorisë së Tribunalit për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. E para ishte që Ramush Haradinaj kishte komandë të plotë të zonës së Dukagjinit, dhe e dyta se vetëm Ushtria Çlirimtare te Kosovës ishte përgjegjësë për vrasjet e njerëzve, ndërlidhur me rastin në “Liqenin e Radoniqit”.
“Strategjia e Mbrojtjes ishte të provonte se asnjëra nga teoritë e çështjes së Prokurorisë nuk ishte e saktë”, thotë për Nacionalen ish-avokati i Haradinajt, O’Reilly.
Taktikën që e shfrytëzuan O’Reilly me avokatët e tjerë me renome ndërkombëtare ishte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një komandë efektive. Ngjashëm siç sot po e praktikon mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, me emra avokatësh, pak a shumë të ngjashëm.
“Sa i përket teorisë së parë, pa thirrur kurrë dëshmitarë të mbrojtjes, mbrojtja tregoi, përmes pyetjeve të dëshmitarëve të prokurorisë, se UÇK-ja ishte një organizatë vullnetare pa linja kontrolli ose komande efektive, dhe se Ramush Haradinaj ishte, për të përdorur fjalët e tij, ‘komandant i të gjithë atyre që dëshironin të bindeshin’. Përveç kësaj, dëshmitarët e prokurorisë dëshmuan se sjellja personale e Ramush Haradinajt ishte gjithmonë shumë e disiplinuar dhe mbrojtëse ndaj popullsisë lokale. Shkurt, ai nuk kreu krime dhe nuk urdhëroi, toleroi ose fshehu kryerjen e krimeve”, ka thënë O’Reilly për gazetën Nacionale.
Lidhur me aspektin tjetër kyç të akuzave nga Prokuroria, avokati i njohur shton se asnjëherë nuk pati prova të cilat treguan se UÇK-ja kishte kontroll të plotë në të gjitha zonat, dhe se do të mund të ishte përgjegjëse për të gjitha krimet e pretenduara.
“Sa i përket teorisë së dytë të akuzës – Zona e Kontrollit Total – provat ushtarake nga KFOR-i dhe burime të tjera – treguan në mënyrë bindëse se diçka e tillë nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Për më tepër, provat e ekspertëve vërtetuan se shumë nga njerëzit, trupat e të cilëve u gjetën në kanal, kishin qenë nën kujdesin serb, se shumë nga trupat ishin varrosur diku tjetër dhe më pas ishin zhvarrosur para se të zhvendoseshin në zonën e Liqenit të Radoniqit”, tha ai.
Pavarësisht se rasti i Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës, mbulon periudhë tjetër krahasuar me atë të Haradinajt në Tribunal, argumentet kryesore të dy prokurorive janë ndërlidhur me “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”. O’Reilly konstaton se në Tribunalin e Hagës u vërtetua që Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë autoritet mbi Ramush Haradinaj si komandant të zonës.
“Megjithatë, komanda e përgjithshme dhe natyra e UÇK-së u vunë nën shqyrtim dhe u bë e qartë se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte ndikim ose autoritet mbi Haradinajn. Në fakt, ishte e qartë se, në përgjithësi, ai e injoronte Shtabin e Përgjithshëm. Përsëri, për të përdorur fjalët e tij, Shtabi i Përgjithshëm (të cilin ai e quante Divizioni Politik) mund të kishte qenë ‘në hënë’”, thotë më tutje avokati që ishte pjesë e mbrojtjes së Haradinajt në Hagë.
Por, a kishte kontroll të plotë Haradinaj në krejt zonën e Dukagjinit, ashtu siç pretendonte atëherë Prokuroria, dhe tash kjo e Specializuar me akuzat kundër Thaçit, Selimit, Krasniqit e Veselit? O’Reilly thekson se vlerësimi për Haradinajn nga ushtarët ishte nga respekti, e jo nga pozita e komandantit të vëqrtetë.
“Provat treguan se një kontroll i tillë siç ushtroi Haradinaj buronte nga respekti për aftësitë e tij si luftëtar dhe udhëheqës, dhe se vlerësimi i tij për rolin e tij si Luftëtar dhe jo si komandant ishte i vërtetë. Ngjarjet në Gllogjan më 24 mars 1998 ishin të rëndësishme në gjenerimin e respektit për Haradinajn dhe popullin e tij. Luftëtarët vinin e iknin nga UÇK-ja: ndonjëherë luftëtarët duhej të largoheshin për periudha javësh për t’u kujdesur për familjet ose fermat e tyre. Koncepti i ‘dezertimit’ nuk kishte kuptim. Provat treguan se UÇK-ja në atë kohë kishte shumë pak ngjashmëri me një organizatë ushtarake konvencionale”, deklaron avokati Michael O’Reilly.
Ngjashëm me fjalët e O’Reilly, po funksionon edhe sot mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës. Avoktët e Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, synojnë ta dëshmojnë se nuk ka ekzistuar zinxhir i qartë komandues, aktgjykim i cili ishte konfirmuar nga Tribunali i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Me këtë bazë, dëshmuan edhe James Rubin, Paul Ëilliams e John Duncan.